Bashkëpunimi mes Kuvendit të Kosovës dhe Hungarisë do të vazhdojë
Prishtinë, 26 nëntor - Kuvendi i Kosovës, ka organizuar sot një konferencë përmbyllëse dy ditore të Projektit të Binjakëzimit, në të cilën u vlerësua lart bashkëpunimi dy vjeçar në mes të Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendit Kombëtar të Hungarisë.
Konferencën e udhëhoqi sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, i cili ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dyja kuvendeve.
Ai po ashtu u interesua që ky bashkëpunim të vijojë edhe në të ardhmen, në mënyrë që edhe Kuvendi i Kosovës të arrijë praktikat e mira nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë dhe parlamenteve të tjera me përvojë të gjatë demokratike.
Për bashkëpunimin në mes të dy kuvendeve përgjatë dy viteve sa ka zgjatur Projekti i Binjakëzimit folën edhe përfaqësuesit nga Kuvendi Kombëtar i Hungarisë, duke vënë në pah edhe fushat në të cilat i rekomandohet Kuvendit të Kosovës të arrijë nivel edhe më të lartë të organizimit.
Me këtë rast, u publikua Raporti me të gjeturat dhe rekomandimet përmbyllëse të Projektit të Binjakëzimit Mbështetje Kuvendit të Kosovës. Lidhur me rekomandimet e këtij raporti u tha se ato do të jenë udhërrëfyes në avancimin e punës së Kuvendit të Kosovës.