30 Prill 2024

Barrikadat mbeten ende problem në veri të Kosovës

Mitrovicë, 31 tetor - Në takimin e Komitetit për vlerësimin e sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ku morën pjesë përfaqësues të strukturave politike dhe te atyre të sigurisë u vlerësua se problemet me barrikadat vazhdojnë dhe me këtë po pengohet edhe qarkullimi i lirë në veri të Kosovës.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se gjatë javës së fundit në veri nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh të situatës.

Kushtëzimet e strukturave paralele për lëvizje të lirë në veri i cilësoi si të papranueshme dhe me qëllim të faktorizimit të tyre.

Tha se largimi i pjesshëm i barrikadave në një shirit të rrugëve magjistrale në veri nga këto struktura tregon se nuk ka ndryshuar asgjë në qasjen e tyre.

“Kushtëzimet për lëvizje të lirë janë të papranueshme. Rrugët duhet të jenë të lira për të gjithë mekanizmat vendore dhe ndërkombëtare si dhe për qytetarët”.

Kryetari Kastrati, theksoi se grupet serbe që janë duke mbajtur rrugët të barrikaduara janë duke kuptuar se kjo është formë e veprimit që nuk do të jap rezultate.

“Kjo formë veprimi nuk do të siguroj asgjë për strukturat kriminale, që tentojnë të mbajnë gjendjen të pandryshuar. Shumë qytetarë të rëndomtë aty mbahen me presion nga strukturat paralele dhe grupet kriminale që tentojnë me çdo kushte ta mbajnë situatën aktuale, meqë çdo stabilizim i situatës do të ishte edhe fundi i tyre”.       

Në anën tjetër, ai përmendi se barrikadat në veri të Mitrovicës, përkatësisht në urën kryesore të Ibrit si dhe në Lagjen e Boshnjakëve, mbeten të paprekura.

“Këto barrikada vazhdojnë të qëndrojnë aty, ndërsa qytetarët vazhdojnë të kenë probleme për lëvizje të lirë”.

Tha se qytetarët e Kodrës së Minatorëve në një situatë të tillë vazhdojnë të shfrytëzojnë për qarkullim një autobus, i cili për shkak të barrikadës nuk mund të del në jug.

“Me angazhimin tonë kemi siguruar qarkullimin e atij autobusi për këta banorë, mirëpo për shkak të gjendjes aktuale ai ndalet tek zona e “Tre rrokaqiejve”.

Si lajm të mirë kryetari Kastrati e ka përmendur vazhdimin pa problem të procesit të rindërtimit të shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në veri.

“Rindërtimi është duke vazhduar pa problem në Kroin  e Vitakut, mandej në Kodrën e Minatorëve, Suhadoll etj”.

Poashtu ceku edhe fillimin e asfaltimit të rrugës në Kroin e Vitakut, të cilën do ta shfrytëzojnë banorët shqiptarë por edhe ata serbë.

“Është ky një rast i mirë i bashkëjetesës së qytetarëve, duke pasur parasysh se në atë lagje ka pasur shumë tensione në fillim të procesit të rindërtimit”.

Ndërsa Ergin Mediq, nga policia rajonale e Kosovës, tha se policia është duke vazhduar të monitoroj ecurinë e rindërtimit dhe nuk ka asnjë problem. Poashtu theksoi se nuk ka as incidente ndëretnike në veri.       

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)