Barazia gjinore në ekzekutivin komunal pa agjenda konkrete
Prishtinë, 19 dhjetor - Demokracia në Veprim (DnV) ka organizuar një debat me temën: Pushteti lokal dhe bilanci gjinor në ekzekutiv, me kryetarë të rinj të disa komunave dhe me përfaqësues të shoqërisë civile, subjekteve politike dhe medieve.
Shqipe Gjocaj nga Demokracia në Veprim ka paraqitur disa nga të gjeturat në raport me bilancin gjinor në komunat e Kosovës. Ajo pohoj se drejtoritë komunale udhëhiqen 93% nga meshkujt, ndërkaq vetëm 7% nga gratë. Si rrjedhojë, arsyeja e debatit në fjalë me udhëheqësit e ardhshëm lokal, dhe përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, është që ti përsërisim, ti ritheksojmë këto statistika, ti identifikojmë dhe shpjegojmë arsyet që qëndrojnë prapa shifrave, dhe të kuptojmë nga kryetarët e ardhshëm se a do të vazhdohet me të njëjtën neglizhencë për rëndësinë e përfaqësimit gjinor në drejtori apo pozita të tjera vendimmarrëse në Kuvendet Komunale, apo do ta ndryshojnë gjendjen.
Shpend Ahmeti, kryetar i Prishtinës ka thënë se subjekti i tij politik ka tejkaluar kuotën ligjore prej 30 për qind. Nga 10 vende në Asamblenë Komunale, katër janë gra që kanë hyrë nga votat dhe jo nga kuotat, ndërkohë jemi në pritje edhe të një kandidateje e cila është në listë për nga votat. Për Ahmetin, përfshirja e grave në ekzekutiv vetëm për kuotë asnjëherë nuk ka qenë prioritet.
Asnjëherë nuk ka qenë në mendjen time që të marrim gra në Komunë sepse na duhet për balancë, ka deklaruar ai duke shtuar se do të ofrojë një model për komunat tjera në këtë aspekt. Sipas tij, ndryshimet më të mëdha në Kosovë janë bërë nga gratë, por nuk u prezantua ndonjë agjendë apo plan konkret se si mendon ta bilancoj numrin e grave dhe të burrave në krye të drejtorive.
Nga ana tjetër, Muharrem Sfarqa, kryetar i Ferizajt ka vlerësuar se përfshirja e grave në ekzekutiv ka qenë në agjendën e tij para marrjes së mandatit. Nga bisedat që kemi pasur edhe me partnerët e koalicionit, kemi zgejdhur dy gra që do të udhëheqin dy drejtori.
Janë të përgatitura profesionalisht dhe presim rezultate të mira nga ato, ka thënë ai. Sfarqa ka thënë po ashtu se ata nuk kanë ardhur në pushtet vetëm nga votat e meshkujve dhe sipas tij, votat e grave kanë qenë vendimtare dhe të rëndësishme.
Edhe pjesëmarrësit tjerë e kanë theksuar se përfaqësimi i grave në institucionet lokale vazhdon të mbetet vetëm në suaza të kuotës së 30 përqindëshit, pa pasur rol aktiv në ekzekutiv.
Igballe Rugova nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, ka thënë se deri më tani, dyert e komunave kanë qenë të mbyllura për rrjetin e grave, e që këtë qasje kanë shpresuar të mos e shohin tek kryetarët e rinj, që është edhe arsyeja pse nuk i kanë takuar gjatë fushatës, me shpresë që të shohin se a ka interes nga vet ata për ta adresuar qëshjet që lidhen me barazi dhe përfaqësim të denjë gjinor.
Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje ka diskutuar rreth rëndësisë së buxhetimit gjinor, dhe lehtësirave që duhet të u ofrohen grave në mënyrë që ato të synojnë dhe pranojnë pozita vendimmarrëse.
Për më shumë, diskutimet në debat kanë prekur edhe funksionim e forumit të grave, respektimin e ligjit për barazi gjinore në komuna, e pse jo edhe synim për ta bërë kuotën 50% sepse e tillë është përqindja e grave në popullsi, si dhe përfaësim më respektues i grave nga ana e medieve.