Baraliu propozon që pragu zgjedhor të ulet në 3.5 për qind
Prishtinë, 7 nëntor - Njohësi i proceseve zgjedhore, Mazllum Baraliu ka mirëpritur nisjen e reformës zgjedhore nga presidenti i vendit.
Ai ka thënë se një reformë zgjedhore e mirëfilltë mund të ndodhë nëse do të ketë përfshirje të plotë të gjithë spektrit politik dhe shoqërisë civile.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën Epoka e re, Baraliu ka propozuar që pragu zgjedhor të ulet në 3.5 për qind.
Ai ka thënë se zvogëlimi i pragut zgjedhor do ta bënte shumë më fleksibil krijimin e koalicioneve qeverisëse, kurse qeveria do të ishte më gjithëpërfshirëse.
Baraliu ka theksuar se në këtë reformë zgjedhore duhet të përfshihet edhe zvogëlimi i numrit të deputetëve dhe ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Ndodh që një komunë e vogël në Kuvendin e Kosovës të ketë deri në gjashtë deputetë, ndërsa disa komuna të tjera nuk përfaqësohen me asnjë deputet, ka theksuar Baraliu.