28 Prill 2024

Banorët e veriut kanë besim tek institucionet

Mitrovicë, 10 tetor - Banorët shqiptarë në veri janë duke e ruajtur besimin tek institucionet përkundër situatës së tensionuar dhe problemeve për qarkullim si pasojë e  barrikadave të vendosura nga strukturat paralele.

Kështu u tha të hënën në takimin e Komitetit lokal të sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës dhe ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të strukturave të sigurisë.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se gjatë javës bashkë me drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, ka zhvilluar vizita në shumicën e lagjeve të veriut për të parë për së afërmi gjendjen e banorëve.

“Kemi vizituar Kodrën e Minatorëve, Lagjen e Boshnjakëve dhe Kroin e Vitakut. Gjendja e tyre është e rëndë për shkak të bllokimit të rrugëve, mirëpo sjellja e tyre vazhdon të jetë shumë e përgjegjshme karshi situatës”.

Ai theksoi se gjatë takimeve me banorët i kanë falënderuar ata për pjekurinë e  treguar në vazhdimësi, duke pasur parasysh provokimet me të cilat ballafaqohen.

“Qytetarët shqiptarë, por edhe ata të komuniteteve joserbe në veri kanë besim tek institucionet dhe punën e tyre. Kjo na ndihmon ne të gjithëve dhe sidomos strukturave të sigurisë sa i përket menaxhimit të situatës”.

Kryetari Kastrati përmendi edhe takimin me banorët e Kroit të Vitakut, pas vendosjes së një barrikade në rrugën e kësaj lagjeje që lidhet me Kodrën e Minatorëve.

“Banorët kanë shprehur shqetësimin se kjo do të pengoj vazhdimin e rindërtimit të shtëpive që gjenden në pjesën matanë vendit ku është vendosur barrikada”.

Ai tha se në të gjitha takimet që kanë pasur, duke përfshirë me atë banorët e Bistricës, Cerajës dhe Koshtovës, ka qenë kërkesë unanime që sa më shpejt të largohen barrikadat e vendosura në rrugë.

“Barrikadat ua kanë rënduar jetën të gjithëve, andaj kërkojmë nga strukturat e sigurisë që sa më parë t’i largojnë ato”.

Ndërsa shefi i sektorit për Mbrojtje dhe Shpëtim, Shefqet Aliu, tha se provokimet e strukturave paralele serbe dhe grupeve kriminale janë të përditshme.

Ai përmendi se në fundjavë disa persona që lëviznin me automjete me targa të Beogradit nëpër Suhadoll kanë provokuar qytetarët. “Ata mbanin të ngritur tre gishtërinj duke thënë se kjo tokë është Serbi”.

Ai tha se situata është e tensionuar, mirëpo nuk po eskalon vetëm fal pjekurisë së qytetarëve shqiptarë, të cilët po tregohen të përgjegjshëm.     
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)