Ban Ki Moon në Kosovë pa ceremoni
Prishtinë, 21 korrik - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon do të mbërrijë të martën në Kosovë ndërsa garda ceremoniale e Forcës së Sigurisë të Kosovës nuk do të angazhohet për pritjen e delegacionit.
Shefi i organizatës që ka administruar Kosovën për tetë vjet pas luftës, sipas agjendës që e ka parë gazeta, nuk do të pritet me ceremoni shtetërore.
Sipas agjendës, sekretari Ban Ki Moon do të arrijë në Aeroportin e Prishtinën, rreth mesditës, shkruan Koha Ditore.
Në aeroport do të ketë edhe konferencën e vetme për media në Kosovë. Pas një takimi me përfaqësuesit e UNMIK-ut, misionit të organizatës së tij në Kosovë, Ban Ki Moon do të takohet me presidenten Atifete Jahjaga dhe me kryeministrin Hashim Thaçi, për t`u nisur më pas drejt jugut, për të vizituar Pejën e Prizrenin.