Bahtiri kërkon nga mitrovicasit t\'i shkojnë pas Pacollit
Mitrovicë, 18 maj - Lideri i AKR-së Behgjet Pacolli, sot ka mbajtur një takim me anëtarësinë dhe simpatizantët e kësaj partie në Mitrovicë, prej të cilëve ka kërkuar që në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të prezantojnë dhe të përkrahin fuqishëm programin e këtij subjekti politik.
Ai ka thënë se Mitrovica, është një rast i mirë ku angazhimi qytetarë në projektin e AKR-së sjell ndryshime.
Ju sot keni një udhëheqje komunale të sinqertë dhe të përkushtuar që po ju shërben me ndershmëri, ka thënë z. Pacolli.
Duke folur për ofertat e shumta të partive politike, prej të cilave shumë prej tyre i ka cilësuar si boshe, z. Pacolli tha se sot ekonomisë kosovare më shumë se kurrë i duhet të integrohet në trendet e globalizimit të ekonomisë, që po ndodh në gjithë botën e zhvilluar.
Ndërkaq, z. Agim Bahtiri kryetar i degës së AKR-së dhe njëherësh kryetar i komunës së Mitrovicës, ka kërkuar që mbështetjen që i dhanë qytetarët e Mitrovicës, ta vazhdojnë edhe me projektin e Behgjet Pacollit për zhvillim ekonomik të Kosovës.
Rrugën e nisur me ndryshimin në Mitrovicë, duhet vazhduar në nivel të Kosovës, duke përkrahur projektin e Presidentit Pacolli dhe AKR-së për zhvillimin ekonomik të Kosovës, tha z. Bahtiri.