Bahtiri: Deputetit Muja i duhet një trajtim psikik
Prishtinë, 5 shkurt - Lidhur me deklaratat e deputetit Shaip Muja, në Komisioni Parlamentar për Zhvillimin Ekonomik, të publikuara nga mediet se \"kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk mundet më spekulu rreth Trepçës, madje edhe se kryetari Bahtiri duhet të trajnohet për administratën dhe kompetencat që i ka si kryetar i komune\", Agim Bahtiri ka këtë përgjigje.
\"Duke marrë parasysh të kaluarën e deputetit Muja, \"në politikë dhe biznes\", kërkoj nga institucionet shtetërore, Kuvendi dhe Qeveria, që të organizojnë seanca trajtimi psikike për deputetin në fjalë.\"
\"Të thuash se Agim Bahtiri, nuk e di se cilat janë kompetencat e tij,është çmenduri. Një \"doktor\", siç është deputeti Muja, t`i tregoj për zhvillimin ekonomik një biznesmeni global, këtë rast Agim Bahtrit, mund të ndodhë vetëm në Kosovë dhe nga një \"politikan\" i llojit të Shaip Mujës\", ka theksuar Bahtiri.
Ai ka shtuar se i kupton disfatat, humbjet, përjetimet, zhgënjimet e proceset në të cilat po kalon deputeti Muja, por po ashtu sipas tij ka ardhur koha që politikanët e tillë duhet të largohen, madje edhe duke u hetuar për veprimet e tyre politike dhe ekonomike.
\"Sa i përket kompetencave si kryetar, unë jam shumë i njohur më të gjitha proceset, dhe asnjëherë nuk ka i kam dhe nuk do t\'i tejkaloj kompetencat e mia si kryetar i Komunës\".
\"E njoftoj deputetin Muja, se unë si kryetar komune edhe këtë moment vlerësoj se çështja e Trepçës, duhet sa më shpejt që të trajtohet ndryshe nga ana e Qeverisë së Kosovës, se ç\'është trajtuar deri më tani. Unë mendoj se Trepça duhet të rivitalizohet dhe t`i kthehet punës, sepse kjo është në të mirë të qytetarëve të Mitrovicës dhe krejt Kosovës. Poashtu edhe krijimi i Zonës së lirë ekonomike në Mitrovicë, do të hapte shumë perspektiva për Mitrovicën dhe qytetarët e saj në zhvillimin ekonomik\", ka theksuar Bahtiri.