21 Janar 2025

AVONET ndan mirënjohje për ministrin Agani

Prishtinë, 23 dhjetor - Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET nga Ferizaj ka ndarë mirënjohje për ministrin e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, dhe disa personalitete të tjera, për kontributin e tyre në sfera të ndryshme, gjatë vitit 2015.

Koordinatori i AVONET-it, Kenan Gashi, tha se ministri Ferid Agani është ndër të rrallët që ka shprehur dëshirën dhe vullnetin e tij për të bashkëpunuar ngushtë me shoqërinë civile dhe për t’iu ofruar ndihmën dhe bashkëpunimin e tij në çështje, siç është mbrojtja e mjedisit.

Konkretisht ministri Agani është nderuar për vendimin për të vënë nën mbrojtje paraprake të zonës së bifurkacionit të lumit Nerodime, si zonë potenciale për shpallje \"vlerë e mbrojtur e natyrës\", ka shpjeguar Gashi.

Ministri Agani tha se kjo mirënjohje do të jetë ndër më të dashurat për të, pasi i jepet nga shoqëria civile.

Ai ka lavdëruar dhe AVONET-in për punën që bën. \"Ky takim kaq impresiv, ku e shohim gjithë spektrin politik dhe shoqërinë civile është mbresëlënës dhe flet për atë se me të vërtetë keni zhvilluar një aktivitet kuptimplotë, gjithpërfshirës, në interesin e të gjithë qytetarëve dhe prezenca e gjithë këtyre njerëzve është një shenjë për mirënjohjeje për juve\".

\"Shteti ynë, është e qartë, se ka mangësi të shumta, si në nivel lokal, ashtu dhe qendror. Por kemi pasuri të mëdha në rrafshin e komunitetit dhe të organizimit të sektorit joqeveritar. Dhe kjo pasuri, uroj që të shfrytëzohet sa më tepër, në kuadër të një aktiviteti bashkëpunues dhe të japë rezultate sa më të mëdha në interes të qytetarëve\", u shpreh Agani.

AVONET ka ndarë mirënjohje edhe për kryetarin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni, për guximin e tij në zgjidhjen e shumë lëndëve të vështira; kryeprokurorin e Ferizajt, Agron Qalaj, për bashkëpunim me OJQ-të; deputeten Blerta Deliu, për angazhimin e saj në ngritjen e rolit të gruas në shoqëri.

Po ashtu, i nderua këngëtari Labinot Tahiri-Labi, për kontributin e tij në ndihmën për rastet sociale; Viktor Sopi, drejtor i organizatës \"Caritas Kosova\", i cili i ka ofruar komunitetit projekte asistence sociale, në arsim e shëndetësi; Naim Ferati, drejtor për Kulturë dhe Rini në Komunën e Ferizajt, i cili u tha se ka vendosur bashkëpunim me shoqërinë civile dhe mediet, dhe shkëmbimin e ideve për projektet me rëndësi për qytetarët e Ferizajt.

Mirënjohje iu ndanë dhe kryetarit të fshatit Bibaj, Faton Haxhisalihu, i cili ka zhvilluar aktivitet dhe ka ndikuar në realizimin e projekteve dhe ka realizuar nga vetë iniciativa, aktivitete dhe projekte; Luan Jahirit, menaxher i Postës së Kosovës në Ferizaj, i cili ka rritur cilësinë në shërbime për qytetarët e Ferizajt dhe Abdullah Imerit, themelues i Portalit Ferizajpress, për angazhimin e tij në informimin dhe ngritjen e shqetësimeve të qytetarëve.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)