Avokati i Popullit vizitoi Qendrën për Azilkërkuesit që vijnë në Kosovë
Prishtinë, 20 qershor - Në Ditën Botërore të Refugjatëve, Avokati i Popullit, Sami Kurteshi ka vizituar sot Qendrën për Azilkërkuesit që vijnë në Kosovë , e cila funskionon në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Ai u takua me udhëheqësin e kësaj Qendre, Fitim Zariqi, nga i cili u njoftua për kushtet dhe rregullat e qëndrimit të azilkërkuesve në këtë Qendër, e cila është themeluar në shkurt të vitit 2010.
Zariqi e njoftoi Avokatin Kurteshi se aktualisht janë 11 azilkërkues, ndërkaq deri më tani nëpër këtë Qendër kanë kaluar mbi 500 azikërkues, nga shtete e kontinente të ndryshme, të cilëve u ofrohet strehim bazuar në Ligjet në fuqi.
Avokati i Popullit u takua gjithashtu edhe me azilkëkuesit dhe u interesua për gjendjen dhe trajtimin e tyre në Kosovë. Ata u shprehën të kënaqur dhe falënderues për kushtet që ju ofrohen.
Ndërtesa e dedikuar për strehimin e azilkërkuesve përmbush plotësisht parametrat e kërkuar të nivelit evropian, për të ofruar strehimin e nevojshëm për azilkërkuesit gjatë kohës kur rasti i tyre trajtohet nga autoritetet kompetentye shtetërore të Kosovës.
Çështja e azilit në Republikën e Kosovës është e rregulluar me Ligjin për azilin Nr. 03/L-066 dhe me dy udhëzime Administrative , në harmoni me Konventën e vitit 1951 dhe Protokollin e vitit 1967 lidhur me statusin e refugjatëve.
Sipas Raportit të Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), në Gjenevë.
Gjatë vitit 2012 numri i personave të zhvendosur në botë gjatë vitit 2012 kalon shifrën prej 42 milionë persona.