Avokati i Popullit i shqetësuar me dukurinë e vrasjeve në vend
Prishtinë, 22 tetor - Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, edhe njëherë, shprehë shqetësimin e tij jashtëzakonisht të madh, lidhur me vrasjet që po ndodhin në vend, e që tashmë dukshëm po shënojnë trend rritjeje.
Rasti i ditës së enjte në komunën e Istogut, ku është vrarë një dhe janë plagosur dy qytetarë serbë; rasti i vrasjes së një qytetari shqiptar të mërkurën në komunën e Gjakovës, sikurse edhe rasti tjetër, gjithashtu në komunën e Gjakovës, ku para disa ditësh ishin gjetur të vrarë dy rinj të fejuar, sipas Kurteshit edhe njëherë konfirmon faktin se armët në duart e qytetarëve vazhdojnë të rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e secilit person në vend, si dhe të cenojnë sigurinë dhe qetësinë publike.
\"Identifikimi i fajtorëve dhe vënia e tyre para organeve të drejtësisë është veprim i domosdoshëm, jo vetëm për të zbardhur rastet që kanë ndodhur, por edhe për të parandaluar aktet e tilla dhe për të ndikuar në sigurinë e përgjithshme në vend\", ka thënë ai.
Jo më pak shqetësuese sipas tij mbeten aktet e dhunës ndërmjet moshave të reja shkollore, përfshirë këtu posedimin dhe përdorimin e armëve të zjarrit si dhe atyre të ftohta nga ana e nxënësve.
Rasti i therjes me thikë të një nxënësi në komunën e Vitisë, nga një bashkëmoshatar i tij, po ashtu nxënës, risjellin para nesh, përveç shqetësimit, edhe kërkesën emergjente për të ndërmarrë masa që do të parandalonin aktet e tilla.
\"Angazhimi i mekanizmave përkatës institucionalë dhe shoqërorë, për të ngritur nivelin e vetëdijes së përgjithshme kundër përdorimit të dhunës është i domosdoshëm, emergjent dhe kërkon vëmendje të veçantë.\"