16 Janar 2025

Avancohet zbatimi i Menaxhimit të Integruar të Kufirit

Prishtinë, 30 prill - Delegacioni i Republikës së Kosovës, nën kryesimin e Zëvendëskryeministres njëherit udhëheqëses së dialogut teknik znj. Edita Tahiri dhe ekipi i ekspertëve mori pjesë në takimin e radhës të Grupit Implementues  të Marrëveshjes së Menaxhimit të Integruar të Kufirit (IBM), të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në Bruksel.

Sipas njoftimit për media nga Qeveria e Kosovës, në agjendë të këtij takimi ishte vlerësimi mbi zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe përgatitjet e mëtejmë për zbatimin e planeve të aksionit për këtë marrëveshje si dhe diskutimet për çështjet që ndërlidhen me lirinë e lëvizjes.

Në këtë takim u vlerësuan përparimet në zbatimin praktikë të Protokollit Teknik dhe respektimi i afateve kohore nga të tria palët.

Pas konstatimit të përbashkët se shënjimi i pikave kufitare në gjashtë pikëkalimet e kufirit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë u realizua me sukses, faza e ardhshme do të fokusohet në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të IBM-it sipas praktikave më të mira evropiane.

Po ashtu, u arrit pajtueshmëria që nga data 1 maj 2013 marrëveshja për lirinë e lëvizjes të zbatohet plotësisht edhe në dy pikëkalimet kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë,  në Muçibabë dhe Mutivodë.

Më këtë rast Zëvendëskryeministrja Tahiri vuri në dukje rëndësinë e kësaj mundësie që qytetarët e Luginës së Preshevës të kenë lehtësira në qarkullim duke i`u mundësuar atyre kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim, duke pasur parasysh se ata qarkullojë vazhdimisht nëpër këto dy pikëkalime kufitare për shkak të lidhjeve familjare dhe ekonomike që kanë me Kosovën.

Ajo me këtë rast ripërsëriti kërkesën  që me urgjencë të zgjidhet problemi i tarifave të larta kufitare për sigurimin e automjeteve dhe kërkoi nga BE-ja  të angazhohet maksimalisht për këtë çështje.

Sa i përket marrëveshjes së IBM-së, Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri tha se ajo po zbatohet mirë deri më tash dhe se shpreson se ky pozitivitet të vazhdojë tutje me ndërtimin e pikëkalimeve të përhershme kufitare.

Në këtë kuadër Bashkimi Evropian përmes kontraktuesit të tij prezantoi skicat e projeksioneve për dy pikëkalimet e përhershme kufitare Merdarë dhe Jarinjë, ndërsa u la që në takimet e ardhme të prezantohen projekt skicat e pikëkalimeve tjera kufitare.

Poashtu në këtë takim u diskutua edhe për praktikat tjera të bashkëpunimit kufitar mes dy vendeve siç janë këmbimi i informatave për çështjet doganore, fito-sanitare, etj  me ç`rast  u arrit dakordimi që të ndiqen standardet dhe direktivat e BE-së që rregullojnë këto çështje.

Në këtë takim Zëvendëskryeministrja Tahiri ishte e shoqëruar nga Dren Zeka këshilltari politik i ZVKM Tahiri, Fisnik Rexhepi, këshilltar politik i Ministrit Rexhepi dhe koordinator i Grupit për implementimin e IBM-së, Qemajl Marmullakaj nga ZPS/ZKM, Naim Huruglica,  drejtor i Doganës së Kosovës, Shaban Guda, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës,  Valdet Gjinovci,– Kryeshef i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit dhe Murat Meha,– Kryeshef i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)