16 Janar 2025

Avancohet kundërligjshëm balldyska e Çekut

Prishtinë, 2 maj - Leonita Harxhi mund të cilësohet si njëri goxha me “fat” në diplomacinë e Kosovës. Pa u lodhur fort për të marrë diploma universitare, Harxhi pas tre vjetësh asistente në Ambasadën e Kosovës në Bruksel, është avancuar në pozitën e zëvendëskonsull. Harxhi, e cila është motra e bashkëshortes së ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çekut, tashmë mban pozitë diplomatike.

Ministria e Punëve të Jashtme, pos që ka marrë vendim që ta avancojë Harxhin pa ndonjë shkollim të lartë, me këtë vendim ka shkelur edhe ligjet e shtetit të Belgjikës, gjegjësisht ka shkelur praktikat e pranuara përgjithësisht të shtetit belg për mosdhënie të statusit të diplomatit, personave me shtetësi belge.

Harxhi si rezultat i martesës së para disa viteve me një shtetas belg mban shtetësinë e këtij vendi, ndërsa rregullat e Belgjikës, sipas burimeve të gazetës, bëjnë me dije qartë se shtetasit belg nuk mund të ketë statusin e diplomatit e as të gëzoj imunitete e privilegje diplomatike, të cilat u akordohen vetëm diplomatëve.

Sipas burimeve të gazetës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel, ka marrë vërejtje nga autoritetet belge për këtë shkelje. Kjo letër ia kujton Kosovës përmes ambasadës së atjeshme se asnjë shtetas belg nuk mund të jetë staf diplomatik në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.

Të gjithë e dinë këtë rast, por asnjëri nuk flet. Zyrtarisht nuk flasin as zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët e kanë shkruar vendimin me të cilin Harxhi javë më parë është avancuar në pozitë diplomatike.

Për më shumë se dy javë, gazeta ka pritur përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkatësisht nga këshilltari Artan Behrami, por i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës përmes së cilave është kërkuar baza ligjore e emërimit të Harxhit në pozitën e zëvendëskonsull në Bruksel.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë direkt edhe me zv/konsullin Leonota Harxhi, por kontakti ka qenë i pamundur. Gazeta ka tentuar që të bisedojë me të në telefonin fiks të konsullatës, por e njëjta nuk është lajmëruar, për ç’gjë gazeta e ka telefonuar atë në numrin e saj privat. Harxhi me të kuptuar interesimin e gazetës, e ka mbyllur telefonin dhe e njëjta nuk është përgjigjur më.

Ka më shumë se dy javë që gazeta i është drejtuar asaj edhe përmes postës elektronike, duke i shkuar të njëjtat pyetje edhe zyrtarëve të tjerë diplomatikë përmes adresës elektronike zyrtare, por deri më tani asnjëri nga ta nuk ka dhënë përgjigje.

Gazeta sipas burimeve të saj ka mësuar se zyrtarët në ambasadë nuk kanë të drejtë të prononcohen për media pa lejen e MPJ-së. Fare në fund as MPJ, as zyrtarët nga ambasada por as vetë Leonita Harxhi nuk janë përgjigjur në këtë interesim të gazetës. Ata thjesht kanë vendosur që të mos përgjigjen pa dhënë ndonjë përgjigje nëse ato për çfarë ka pretenduar gazeta sipas burimeve të mirinformuara janë të sakta apo jo.

Sido që të jetë, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Ilir Dugolli, disa ditë pas vendimit të MPJ-së për avancimin e Harxhit në këtë pozitë, ka konfirmuar për gazetën se këtë vendim e ka marrë MPJ-ja dhe se askush nga ky dikaster nuk është konsultuar me të përkitazi me këtë çështje.

“Për arsyeshmërinë dhe motivet e gradimeve a katapultimeve, përfshirë edhe kalimet nga niveli administrativ në diplomatik dhe konsullor duhet të pyetet Ministria, pasi vendimet rreth personelit janë bërë pa rekomandim apo kërkesë të Ambasadorit”, ka thënë javë më parë ambasadori Ilir Dugolli.

Raste të tilla të emërimeve pa kritere ka edhe të tjera nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Rast i ngjashëm ishte javë më parë edhe ai i emërimit në cilësinë e sekretarit të Ambasadës së Kosovës në Tiranë, të Adnan Jakupit që është vëllai i këngëtares Leonora Jakupi.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)