Avancimi i aplikimit për KE është një hap përpara për Kosovën
Prishtinë, 24 prill - Presidentja e Repulikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se votimi i sotëm për ta avancuar aplikimin e Kosovës për Këshillin e Evropës drejt Asamblesë Parlamentare nuk është vetëm ditë e mirë për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë, por edhe moment i rëndësishëm për gjithë Evropën.
Ky sipas Presidentes Osmani është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.
"Dëshiroj ta shpreh mirënjohjen time për aleatët tanë ndërkombëtar, presidencën islandeze të Këshillit të Evropës dhe për të gjitha shtetet që na mbështetën me votën e tyre. "
"Pres që shqyrtimi i aplikacionit tonë nga Asambleja Parlamentare të fillojë sa më parë dhe të përmbyllet me sukses."
"Ne jemi të përkushtuar për t'i përmbushur standardet më të larta të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit dhe kemi besim se aplikimi ynë do të vlerësohet në bazë të të arriturave tona në këto fusha", ka theksuar Osmani.
Aspiratat tona euroatlantike sipas saj janë të qarta dhe vendosmëria e popullit të Kosovës është më e fortë se kurrë.
Viteve të fundit, Kosova ka shënuar progres të jashtëzakonshëm, ndaj anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është dëshmi e mëtejme e përkushtimit tonë të palëkundur ndaj vlerave që përfaqëson ky institucion.
Hapat e ardhshëm janë një mundësi për Evropën për ta shfaqur angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend, në të gjithë kontinentin.