Austria partner i fuqishëm i Kosovës
Vjenë, 20 nëntor Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Austri, është takuar me zëvendëskancelarin, njëkohësisht ministër Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare i Austrisë, Michael Spindelegger.
Gjatë takimit, dy ministrat kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, me theks të veçantë në aspektin ekonomik, tregtar, arsimorë e kulturorë si dhe për mundësinë e nënshkrimit të disa marrëveshjeve bilaterale të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Ministri Hoxhaj dhe zëvendëskancelari Spindelegger gjatë bisedës janë fokusuar në agjendën e integrimeve evropiane të Kosovës dhe format se si Austria do ta ndihmojë Kosovën në nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.
Ky do të ishte hap vendimtar për Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane, pasi që paraqet marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet BE-së dhe Kosovës.
Pastaj, për procesin e liberalizimin e vizave, proces i cili është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës, meqë ata janë të vetmit që janë të izoluar nga një proces i tillë, ka thënë Hoxhaj, duke shprehur besimin se Komisioni Evropian do ta vlerësojë progresin në fushën e liberalizimit të vizave.
Hoxhaj dhe Spindelegger po ashtu kanë shkëmbyer pikëpamjet e dy shteteve për procesin e normalizimit të relacioneve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë pikë, ministri i Jashtëm i Kosovës ka thënë se ky proces duhet ti shpërbëjë plotësisht strukturat e policisë dhe sigurisë serbe në veri, deri te anëtarësimi i plotë i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Në anën tjetër, zëvendëskancelari, njëkohësisht ministër Federal për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare i Austrisë, Michael Spindelegger, ka thënë se Austria është një partner i fuqishëm politik, ekonomik dhe evropian i Kosovës, e cila do ta mbështesë Kosovën edhe përmes thellimit të bashkëpunimit bilateral edhe përmes agjendës evropiane.
Austria angazhohet që të gjitha vendet e rajonit të integrohen në BE, duke përfshirë edhe Kosovën, ka thënë ndër të tjera, Michael Spindelegger.