Austria partner i fuqishëm evropian i Kosovës
Prishtinë, 27 shkurt - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë se Kosova e sheh Austrinë si një shtet i cili mund ta ketë rolin udhëheqës që ta integrojë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, ministri Kurz, ka shprehur mbështetje të fuqishme të Austrisë për proceset integruese në të cilat ndodhet Kosova.
Në një konferencë për medie të mbajtur pas takimeve, ministri Enver Hoxhaj dhe homologu i tij austriak, Sebastian Kurz, kanë shprehur vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj vlerësoi kontributin e Austrisë në dy dekadat e fundit në vendimet dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Ai tha se Austria ka ofruar përkrahje të vazhdueshme në shumë procese historike që kanë të bëjnë me formimin e shtetit të Kosovës, duke shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për popullin dhe shtetin austriak.
Ministri Hoxhaj po ashtu tha se Austria është partner bilateral i Kosovës, duke kërkuar zgjerimin e partneritetit përmes nënshkrimit të marrëveshjeve në shumë fusha dhe rritjes së investimeve austriake në Kosovë. Mbi të gjitha Austria për ne është një partner i fuqishëm evropian. Ne e shohim Austrinë si një vend i cili mund të ketë rolin udhëheqës që ta integrojë Kosovën dhe Ballkanin në Bashkimin Evropian, tha ministri Hoxhaj.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Hoxhaj tha se ky proces nuk ka të bëjë me statusin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, por se është një dialog se si të dy vendet të kenë relacione normale. Ai po ashtu e ka njoftuar ministrin Kurz për rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, konkretisht lidhur me negociatat për përmbylljen dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Ministri i Punëve të Jashtme i Austrisë, Sebastian Kurz, tha se Austria ka një lidhje të veçantë me gjithë regjionin e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën.
Ministri Kurz po ashtu shprehu përkushtimin e vendit të tij për përkrahjen e aspiratave të Kosovës për integrim në familjen evropiane. Ne e përkrahim shumë qartë perspektivën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe do të përkrahim me të gjitha mundësitë tona në Bruksel për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit gjatë mandatit të presidencës greke. Jam shumë i lumtur që sot së bashku të bëjmë hapa përparues për nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale në mes të Austrisë dhe Kosovës, theksoi ministri Kurz.
Ministri i Jashtëm Kurz shprehu po ashtu zotimin e vendit të tij që Kosovës ti ndihmojë edhe më tutje në kuadër të EULEX-it, si dhe me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë do të bëjë shtimin e numrit austriakë të KFOR-it.