29 Prill 2024

Austria mbështet proceset integruese të Kosovës

Prishtinë, 15 dhjetor - Me ftesë të kryetares së Këshillit Nacional të Parlamentit të Republikës së Austrisë,  znj. Barbara Prammer, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni parlamentar po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Austrisë.

Kryeparlanmentari Krasniqi është pritur sot, në një takim tejet të ngrohtë dhe miqësor, nga kryetarja e Këshillit Nacional të Parlamentit të Republikës së Austrisë,  znj. Barbara Prammer .

Duke i dëshiruar parlamentarëve të Kosovës mirëseardhje në Parlamentin e Austrisë, zonja Prammer, e cilësoi takimin si mundësi shumë të mirë për tu njohur me zhvillimet në të dyja vendet, sidomos për sa i përket punës dhe bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.

Ajo theksoi se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjitha drejtimet, veçanërisht në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Ajo u interesua në mënyrë të veçantë për zhvillimet në pjesën veriore të Kosovës dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Austria, si dhe shtetet e tjera të BE-së janë të interesuara për perspektivën evropiane të vendeve të rajonit të Ballkanit Jugperëndimor”, ka theksuar nikoqirja.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, duke e falënderuar zonjën Prammer për mikpritjen, shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për Republikën e Kosovës.

Kreu i Kuvendit e ka njoftuar homologen e tij austriake për zhvillimet në Kosovë, si dhe për hapat e mëdhenj që ka bërë vendi pas shpalljes së pavarësisë, duke u shndërruar kështu në një faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.

”Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në Hagë, i dha një legjitimitet të plotë ndërkombëtar shpalljes së pavarësisë” ka theksuar Krasniqi, duke vlerësuar përkrahjen e Austrisë në këtë proces.

Duke folur për afirmimin ndërkombëtar të Kosovës ai ka përmendur  faktin që Kosova deri më tani është njohur nga 85 vende të ndryshme të botës, anëtare të OKB-së.

Pengesë serioze të bashkëpunimit të gjithanshëm të Kosovës me BE-në, Krasniqi e ka vlerësuar mosnjohjen nga pesë vende të këtij unioni.

”Ne presim që edhe këto vende të reflektojnë pozitivisht, duke e njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe duke i hapur kësi soji vendit tonë mundësi për marrëdhënie kontraktuale me BE-në dhe zhvillimit normal të proceseve integrimeve evropiane”, ka theksuar Krasniqi, duke kërkuar mbështetje të mëtejme të Austrisë në këtë plan.

Në kuadër të procesit pozitiv të integrimeve evropiane, ai ka përmendur premtimin ditë më parë nga samiti i vendeve të BE-së, për fillimin e shpejtë të dialogut për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e parë si mundësi të mirë edhe për arritjen e marrëveshjeve tregtare, për anëtarësim në Bankën Evropiane Zhvillim dhe Rindërtim dhe për përfitime nga programet  e BE-së.

Duke folur për raportet me fqinjët dhe integrimet rajonale, Krasniqi ka pohuar se Kosova ka raporte të shkëlqyeshme me fqinjë, pos me Serbinë,e cila nuk e ka njohur Kosovën dhe vazhdon t’i bëjë pengesa zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit tonë.

Duke folur në temën e dialogut me Serbinë, Krasniqi ka theksuar se në bazë të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme, Kosova ka hyrë në këtë dialog teknik, të ndërmjetësuar nga BE, si dhe ka shfaqur shpresën për presion mbi Beogradin për heqjen e strukturave paralele në veri të vendit tonë, për t’u hapur rrugë kësisoj veprimeve të ligjshme dhe efikase të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, si dhe për të bërë zgjedhjen e përfaqësuesve nga vetë qytetarët e kësaj pjese të Kosovës.

Ai ka pohuar gjithashtu se si rezultat i këtij dialogu janë arritur disa marrëveshje, për implementimin e të cilave Serbia ende nuk po tregon interes.

“Marrëveshja e fundit ka të bëjë me menaxhimin e integruar të kufijve, e cila do të duhej të ulte tensionet në veri të Kosovës, të hapte rrugën për qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, të evitonte sulmet kriminale ndaj forcave paqeruajtëse.

Nga të dyja palët janë pranuar parimet e EBM-së, por mbetet që në të ardhmen të nënshkruhen edhe protokollet teknike për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, ka spikatur Krasniqi, i cili ka theksuar vullnetin e Kosovës për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, por jo në dëm të integritetit dhe të rendit kushtetues të vendit tonë.

Duke dhënë sqarime lidhur me protestat e fundit në veri të Kosovës, Krasniqi ka shprehur keqardhjen e tij për lëndimin e 11 ushtarakëve austriakë, që veprojnë në kuadër të KFOR-it, të cilët pësuan në mbrojtje të  rendit dhe të integritetit të vendit tonë.

Marrëdhëniet e Kuvendit të Kosovës me Parlamentin Evropian, Krasniqi i ka vlerësuar mjaft të mira dhe të frytshme, duke vlerësuar thirrjet të PE –së, dy herë radhazi që të gjitha vendet e BE-së ta njohin Kosovën.

Ai ka folur edhe për nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale të Kuvendit të Kosovës me parlamente të vendeve të ndryshme me tradita demokratike.

Duke dhënë një pasqyrë të përbërjes dhe të funksionit të Kuvendit, Krasniqi ka theksuar se legjislativi i vendit ka arritur të promovojë kulturën parlamentare dhe përfaqësimin e denjë të komuniteteve pakicë.

Në përfundim të takimit të dy kryeparlamentarët janë pajtuar për nevojën e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet parlamenteve të dy vendeve mike. Krasniqi me këtë rast i ka bërë ftesë homologes austriake, Prammer, për vizitë  zyrtare në Kosovë.

Delegacioni parlamentar i Kosovës gjatë qëndrimi në Vjenë është takuar edhe me Komisionin e Jashtëm të Parlamentit austriak, të kryesuar nga Josef Cap, me anëtarët e të cilit ka këmbyer pikëpamje dhe informata për zhvillimet në të dy vendet, me theks të veçantë për sa u përket mundësive të gjera të bashkëpunimit ekonomik.

Është vlerësuar se investimet austriake në ekonominë e Kosovës, të cilat janë ndër më të mëdhatë e vendeve të BE-së, mund të marrin zhvillime edhe më të hovshme.

Krasniqi në këtë takim ka vlerësuar përkrahjen e universiteteve austriake për studentët kosovarë gjatë viteve ’90, kur regjimi serb pati mbyllur për studentët shqiptarë universitetin e vetëm në Kosovë.

    Kryeparlamentari Krasniqi në orët e mbrëmjes do të mbajë një ligjëratë në Akademinë Diplomatike të Vjenës me temën “Pavarësia e Kosovës dhe zhvillimet aktuale të saj.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)