Austria mbështet anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe Interpol
Prishtinë, 18 gusht - Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, ka pritur sot në një takim pune ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Dr. Johann Brieger.
Zëvendësministri Selimi e falënderoi ambasadorin Brieger për mbështetjen e fuqishme të Austrisë dhënë Kosovës si një nga partneret më të rëndësishme ekonomike të saj, përmes investimeve gjithnjë në rritje, por edhe nëpërmjet lobimit për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Selimi dhe Brieger diskutuan për axhendën e Samitit ne Vjenë, që do të mbahet më 27 gusht 2015, në kuadër të Procesit të Berlinit të nisur nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Ky proces synon të prodhojë rezultate të prekshme përmes bashkëpunimit rajonal të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë projekte në fushat e infrastrukturës, energjisë, bujqësisë.
Ata u dakorduan se forcimi i ndërlidhjes në mes vendeve të rajonit dhe e atyre me Bashkimin Evropian përbëjnë faktor kyçë për zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës.
Ambasadori Brieger e përgëzoi zëvendësministrin Selimi për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare dhe u shpreh se Austria mbetet një avokate e përkushtuar për anëtarësimin e vendit në UNESCO, Interpol dhe në organizma të tjerë globalë, si dhe për integrimin euroatlantik të Kosovës.