Austria do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën
Prishtinë, 7 korrik - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, sot u takua me Ambasadorin Jan Kickert, Drejtor politik i ministrisë për Punë të Jashtme të Republikës së Austrisë i cili shoqërohej edhe nga Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Johann Brieger.
Zëvendëskryeministrja Tahiri në këtë takim vlerësoi lartë marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe Austrisë dhe përkrahjen e vazhdueshme të shtetit Austriak për integrimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës.
Po ashtu, ajo falënderoi Austrinë për gatishmërinë për të ndihmuar Kosovën në marrjen e kodit ndërkombëtar telefonik pranë ITU-së, duke i njoftuar ata për progresin që është arritur në takimet e javës së fundit që zëvendëskryeministrja Tahiri ka zhvilluar me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Ambasadori Kickert u zotua se Austria do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën në të gjitha sferat e jetës duke konsideruar se marrëdhëniet bilaterale janë të nivelit të lartë dhe theksoi se Austria do të vazhdojë të jetë aktive edhe për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të dialogut të Brukselit.
Me këtë rast ai konfirmoi përkrahjen e Austrisë për marrjen e kodit telefonik për Kosovën dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian që ky proces të realizohet me sukses.