Atifete Jahjaga presidente e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 7 prill - Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që u mbajt sot në mbrëmje Atifete Jahjaga është zgjedhur presidente e Republikës së Kosovës me 80 vota pro kundër kundërkandidates Suzanë Novobërdaliun e cila tërhoqi 10 vota ndërsa 10 vota të tjera u shpallën të pavlefshme.
Jahjaga ka marrë 80 vota nga 100 deputetet e pranishëm, që në rundin e parë të votimit, të cilat ishin të mjaftueshme për ta marrë zyrtarisht pozitën e kreut të shtetit.
Në fjalën e saj, presidentja e saposhpallur u betua para deputetëve ndërsa shprehimisht deklaroi:
Betohem se tërë fuqinë time do tia kushtoj interesave të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive njerëzore, respektimit dhe mbrojtjes e kushteve të ruajtjes së paqes dhe me ndërgjegje do të kryeja detyrat e mia.
Jahjaga ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.
Kjo seancë u ftua pas marrëveshjes që u arrit të mërkurën ndërmjet Hashim Thaçit, Behgjet Pacollit dhe Isa Mustafës. Në votim nuk morën pjesë deputetët e grupit parlamentar të Vetëvendosjes.
Atifete Jahjaga ishte numri dy i Policisë së Kosovës, edhe pse emri i saj për herë të parë në publik doli kur u përmend si kandidate për Drejtoreshë të Përgjithshme të Policisë.
Jahjaga është nga Gjakova, është e martuar me Astrit Kuçin dhe nuk ka fëmijë. Merr pak më shumë se 1000 euro rrogë në muaj për punën e saj në Policinë e Kosovës dhe ka gradën e koloneles.
Nga grada reshter është graduar majore, e më pas kolonele. Atifetja, juriste e diplomuar, karrierën e saj në polici e ka filluar si përkthyese, më pas police në departamentin e policisë kufitare, e pastaj në njërin nga departamentet më të rëndësishme të policisë, atë të trajnimit., shkruan mes tjerash në biografinë e saj në faqen e Policisë.
Jahjaga ka kryer trajnime të shumta, duke përfshirë kryesoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fotoja e saj më e shpeshtë që gjendet është ajo me ish-presidentin George W.Bush, dhe gjithashtu me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj në Kosovë.