Asociacioni serb i njëjt me Asociacionin e Komunave të Kosovës
Prishtinë, 13 mars - Asociacioni i Komunave Serbe do ti ketë të njëjtat organe sikurse Asociacioni aktual i Komunave të Kosovës. Pra, do ta ketë Kryetarin, Kuvendin, Këshillin dhe Bordin.
Burime të Express thonë se kjo është zgjidhja që e ka ofruar Baronesha Catherine Ashton. Pala kosovare i ka thënë po këtij propozimi, por Serbia ende insiston që zgjidhja të gjendet jashtë ligjeve të Kosovës.
Asociacioni i Komunave Serbe, që mund të themelohet nëse arrihet marrëveshja Kosovë Serbi, do të ketë Kryetarin, Kuvendin, Këshillin dhe Bordin.
Ky mekanizëm parashihet të themelohet sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës tri ditë pas shpalljes së pavarësisë, më 20 shkurt të vitit 2008.
Aktualisht, në Kosovë funksionon Asociacioni i Komunave, ku janë të përfshirë shumica e udhëheqësve të zgjedhur në nivel lokal.
Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka statutin, ndërsa Kuvendi i Asociacionit ka rregulloren e punës, në të cilën paraqiten kompetencat e udhëheqësve komunalë.
Me idenë për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe është pajtuar Qeveria e Kosovës, por jo edhe Beogradi.
Zyrtarët serbë kanë kërkuar edhe kompetenca ekzekutive për mekanizmin e ri si dhe i njëjti institucion të mos funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës, Pakoja e Ahtisaarit dhe ligjet për vetëqeverisjen lokale nuk u japin kompetenca ekzekutive asociacioneve pra ato nuk mund të marrin vendime që bien ndesh me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Kosovës.
Pikërisht kjo është edhe tema që është diskutuar në takimin e së hënës ndërmjet Baroneshës Catherine Ashton dhe përfaqësuesve të Serbisë.
Burime të Express kanë treguar se lehtësuesja e dialogut në takimin e fundit ua kishte prezantuar palëve dokumentin për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por dokumenti u ishte dhënë atyre vetëm për lexim.
Pala serbe insiston në kompetenca shtesë për asociacionin, derisa zgjidhja e ofruar nga Baronesha është plotësisht e pranueshme për palën kosovare.
Pala kosovare nuk pret të gjendet ndonjë zgjidhje në takimin e radhës më 20 mars, kanë thënë burime të Express.
Arritja e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe zgjidh problemin politik të Veriut. Ky është mekanizimi që qetëson serbët e Kosovës dhe njëkohësisht detyron Serbinë që ta sheh si zgjidhje që kënaq interesat serbe, ka shtuar ai.
Sipas këtij zyrtari, Kushtetuta e Kosovës nuk parashihet të ndryshohet, ndryshe nga Kushtetua e Serbisë.
Evropianët insistojnë që Serbia ta ndryshojë preambulën e Kushtetutës së saj, pjesën ku thuhet se Kosova është pjesë e Serbisë.
Ndërkohë, Baronesha Ashton ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi që të merren vesh për çështje të hapura, përfshirë edhe veriun.