Asociacioni, me pushtet kushtetutëbërës
Prishtinë, 5 nëntor - Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë termin Kuvend kushtetutëbërës që është përdorur në Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.
Kështu kanë vlerësuar ekspertët kushtetues, pasi, sipas tyre, në këtë formë si është përdorur ky term, Asociacioni do të ketë pushtet kushtetutëbërës, e që nënkupton se ai do të jetë jashtë rendit juridik kushtetues kosovar.
Ata thonë se ka dallime të mëdha ndërmjet tekstit të Marrëveshjes në gjuhën shqipe me tekstin në gjuhën angleze, e që vlen në rast të kontesteve.
Në tekstin në gjuhën angleze, thuhet se Asociacioni do të themelohet nga një kuvend kushtetutëbërës, kurse në gjuhën shqipe është përkthyer si kuvend themelues e sipas ekspertëve të çështjeve kushtetuese këto dy terme kanë dallim të madh, si në formë ashtu edhe në përmbajtje. Ata thonë se nëse Asociacioni do të ketë pushtet kushtetutëbërës, kjo nënkupton se ai do të jetë jashtë rendit juridik kushtetues kosovar dhe gjithashtu do të jetë diskriminues ndaj komuniteteve tjera joserbe që jetojnë në komunat që do ta përbëjnë Asociacionin.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një opinion të botuar në gazetën Zëri ka thënë se në nenin 3 të Marrëveshjes për Asociacionin përcaktohet se Statuti i Asociacionit do të miratohet nga një kuvend kushtetutëbërës(anglisht: constituent assembly), e që, sipas tij, ka tërësisht kuptim të ndryshëm si në formë ashtu dhe në përmbajtje nga termi kuvendi themelues siç është përkthyer në gjuhën shqipe. Prandaj sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet ta sqarojë këtë term.
/Zëri/