Asociacioni i komunave përtej planit Ahtisaari
Prishtinë, 27 shkurt - Pavarësisht zemërgjerësisë së kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, i cili dha dritën jeshile për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, megjithatë serbët e veriut insistojnë që të kenë kompetenca ekzekutive dhe drejtpërdrejt ti përgjigjen Beogradit e jo Prishtinës.
Me gjithë pretendimin e Qeverisë së Kosovës se krijimi i asociacionit të komunave serbe do të mundësojë inkuadrimin e strukturave paralele serbe të veriut në institucione shtetërore të Kosovës, një gjë e tillë shihet më shumë si legjitimim i tyre sesa si shpërbërje, shkruan Zëri.
Madje, krijimi i këtij asociacioni vlerësohet nga analistët dhe opozita në Kosovë si favor që u është bërë serbëve të veriut për të themeluar një mini-kuvend, i cili përreth vetës do ti mbledhë serbët e tjerë të Kosovës, pa iu përgjigjur autoriteteve të Prishtinës, por vetëm atyre të Beogradit.
Ka zëra se propozimi i fundit i kryeministrit Thaçi për krijimin e asociacionit të komunave serbe përveç që po rrezikon pakon e Ahtisaarit, gjithashtu po krijon rezultat të keq për veriun.