Asnjë pasojë s'do ta ketë Kosova nëse nuk e themelon Specialen
Prishtinë, 6 korrik - Themelimi i Gjykatës Speciale nga ana e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, nëse në Kosovë dështon, është vënë në dyshim nga ish-shefi i Zyrës ligjore në UNMIK, Alexander Borg Olivier.
Ai ka thënë se dy anëtarët e përhershëm në Këshill të Sigurimit, Rusia dhe Kina, nuk do të pranojnë të krijojnë një precedent i cili në të ardhmen mund të përdoret kundër tyre, shkruan sot Koha Ditore.
Asnjë pasojë nuk do ta ketë Kosova nëse nuk e themelon këtë gjykatë, ka shtuar Olivier.
Por eksperti juridik Fisnik Korenica ndan vlerësim tjetër duke thënë se Kina dhe Rusia, me përkrahjen e Serbisë mezi presin ta themelojnë një gjykatë për Kosovën.
Sipas tij, dy anëtarët e përhershëm në Këshill të Sigurimit edhe nëse krijojnë precedent, kanë fuqinë e vetos që në të ardhmen të zmbrapsin çdo iniciativë që shkon kundër tyre.