Askush smerr përgjegjësi për dështimin e liberalizimit të vizave
Prishtinë, 8 janar - Pozita dhe opozita pajtohen se dështimi më i madh në vitin që e lamë pas ishte mosliberalizmi i vizave për Kosovën.
Për këtë dështim të dyja palët e kanë bërë përgjegjëse njëra-tjetrën, duke refuzuar të marrin ndonjë përgjegjësi.
Qeveria ka vlerësuar se opozita për qëllime politike e ka penguar ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave, derisa për subjektet opozitare liberalizmi nuk ka ndodhur për shkak të dështimit të qeverisë për ta ndalur migrimin ilegal të qytetarëve dhe mosluftimin e korrupsionit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ky zhgënjim bëhet më i madh kur dihet se vazhdimi i izolimit po ndodh për fajin e politikës së brendshme të Kosovës.
Nuk mund të mohojmë se kemi pritur më shumë, sidomos kur është fjala për liberalizimin e vizave. Ky është zhgënjimi më i madh këtë vit. Zhgënjimi bëhet edhe më i madh kur e kujtojmë se ky është rezultat i politikave të brendshme në Kosovë më shumë se çfarëdo tjetër, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për gazetën Epoka e re.
Edhe kryeministri Isa Mustafa ka pranuar se dështimi më i madh i vitit 2016 ka qenë mosliberalizmi i vizave. Për këtë, ai e ka bërë përgjegjëse opozitën, duke thënë se ajo e ka mbajtur peng këtë synim.
Politika e Kosovës nuk arriti të dalë mbi llogaritë dhe interesat partiake e personale dhe ti hapë udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve në vendet e BE-së. Për oportunitete politike, një proces ekspertësh u shndërrua në kauzë politike me qëllim të përfitimeve elektorale. Kjo kauzë tani mban peng qytetarët e Kosovës, të rinjtë, studentët, familjarët që duan ti kalojnë festat te të afërmit, personat që mund të kenë ndonjë nevojë shëndetësore e të gjithë të tjerët që duhet të vazhdojnë të presin në radhë para ambasadave, ka thënë Mustafa.
Sipas kryeministrit, për të njëjtat arsye edhe disa deputetë të pozitës e kanë mbështetur kauzën e opozitës.
E vërteta është se kjo kauzë u krijua nga opozita, e cila, pavarësisht qëndrimit të qartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ekspertëve ndërkombëtarë, qëndrimeve të miqve dhe partnerëve të tjerë, vazhdoi ta akuzojë për shitblerje të tokave, për tradhti e çdo gjë tjetër komisionin shtetëror dhe të tjerët. Kësaj kauze iu bashkua edhe një numër i kufizuar i deputetëve të partive të koalicionit qeveritar të cilët, siç duket, po mendojnë më shumë për disa vota të tyre duke i ndëshkuar krejt qytetarët e Kosovës, është shprehur Mustafa.
Por, pretendimet e tilla i kanë mohuar krerët e subjekteve opozitare, sipas të cilëve, shtyrja e liberalizimit të vizave ka ndodhur për shkak të dështimeve të qeverisë.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka thënë për gazetën Epoka e re se liberalizimin e vizave e ka penguar migrimi i lartë ilegal i qytetarëve të Kosovës dhe mosluftimi i korrupsionit.
Kemi qenë dëshmitarë që përgjatë dy vjetëve vendin e kanë lëshuar mbi 100 mijë qytetarë, pra 1/20 e popullsisë së Kosovës. Një qeverie me një rekord të tillë negativ vështirë se do ti besojnë qeveritë evropiane, për tia dhënë liberalizimin e vizave, sidomos duke pasur parasysh problemin e emigracionit të paligjshëm që tani është në qendër të debateve sensitive në politikën evropiane, ka thënë Ymeri, duke shtuar se qeveria ka heshtur ti përmendë shkaqet e vërteta të pengimit të liberalizimit të vizave.
Liberalizimi i vizave për Kosovën, siç është thënë nga secili zyrtar ndërkombëtar, është i lidhur ngushtë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë në vend. Mirëpo, qeveria dhe sejmenët e saj e përmendin vazhdimisht vetëm çështjen e nevojës së ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Sepse kushtin kryesor për heqjen e vizave, dmth. luftën ndaj krimit e korrupsionit qeveritar, nuk mund ta bëjnë, është shprehur ai.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë për Epokën e re se izolimi i qytetarëve të Kosovës po vazhdon të ndodhë për shkak të logjikës qeverisëse.
Sipas tij, në vendet normale proceset i drejton qeveria, derisa opozita e ballafaqon ekzekutimin me gabimet e saj.
Opozita ka për detyrë ta ballafaqojë qeverinë me gabimet e veta. Në këtë rast, ne e kemi ballafaquar qeverinë me një gabim të vetin, që ka qenë marrëveshja e gabuar për demarkacion me Malin e Zi. Ne nuk kemi bërë asgjë më shumë ose më pak sesa ballafaqimin e qeverisë me një gabim që është detyrë e jona. Pra, nuk është pengesa tek opozita, por te gabimet e qeverisë dhe te logjika qeverisëse. Si rezultat i kësaj logjike kemi mbetur të izoluar, ka thënë Haradinaj.
Për këtë dështim, koalicionin qeverisës e ka bërë përgjegjës edhe lideri i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli.
Partnerët e koalicionit bashkërisht janë fajtorë për këtë dështim, edhe për të gjitha fenomenet negative në Kosovë. Këta njerëz po e mbajnë peng të ardhmen e Kosovës vetëm për interesa të ngushta klanore, ka thënë Pacolli për Epokën e re.
Për ta tejkaluar këtë sfidë Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e një komisioni të ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës, i cili ka për detyrë ta bëjë matjen e territorit para datës 25 gusht të vitit 2015 dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Në kuadër të këtij komisioni janë paraparë të jenë disa përfaqësues institucionalë, përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, nga Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore, nga subjektet opozitare, nga shoqëria civile, nga Agjencia e Kadastrave të Kosovës, nga Agjencia e Pyjeve, nga KOSTT-i, nga Agjencia e Privatizimit, nga Policia e Kosovës, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nga komuna e Pejës, e Deçanit, e Burimit dhe e Junikut, përfaqësues nga zona e Rugovës, si dhe përfaqësues të BE-së, të Ambasadës Amerikane, të KFOR-it dhe të EULEX-it.