Askush nuk do ta rrëzojë vendimin për pavarësinë e Kosovës
Prishtinë, 14 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu theksoi të mërkurën se askush nuk do ta rrëzojë vendimin për pavarësinë e Kosovës dhe se pavarësia është vullnet i pakthyeshëm i qytetarëve të vendit.
Sejdiu duke folur për vendimin e GJND-së tha se nuk dëshiron ta prejudikojë, megjithatë sipas tij faktet që i ka ofruar Kosova në këtë institucion nuk mund ti rrëzojë askush. Po ashtu ai ka folur për gjykata në veri, duke theksuar se është në interes të të gjithë qytetarëve vendosja e ligjshmërisë.
Pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Sejdiu theksoi se është për një zgjidhje të drejtë të Pallatit të Rinisë, që sipas tij do ta bëjnë deputetët e kuvendit komunal.
Ndërkohë, kreu i Prishtinës Isa Mustafa theksoi se e ka njoftuar presidentin Sejdiu për angazhimet që ka komuna. Ai ka përmendur rëndësinë e Ligjit për Prishtinën që sipas tij, jo vetëm do ti zgjidhë problemet e qytetarëve, por edhe të institucioneve qendrore.
Ndryshe, presidenti Sejdiu vizitën në komunën e Prishtinës e realizoi në kuadër të turneut që do ta ketë nëpër qytete të Kosovës.