Asistenca në fushën e sundimit të ligjit mbetet prioritet për Bashkimin Evropian
Prishtinë, 5 korrik - Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, z. Tomas Szunyog.
Temë e diskutimit të përbashkët ndër të tjera ishin roli dhe vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese në proceset e zhvillimit demokratik të vendit, rëndësia e zbatimit të vendimeve të gjykatave të çdo niveli, si dhe nevoja për të përvetësuar përvojën dhe praktikat më të mira të vendeve evropiane në lëmin e gjyqësisë kushtetuese.
Kryetarja Caka – Nimani në vijim shfrytëzoi rastin që t’i shpreh falënderimin dhe mirënjohjen z. Szunyog për përkrahjen e vazhdueshme që institucionet evropiane i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ndër vite, në konsolidimin e kapaciteteve të saj profesionale dhe infrastrukturore nëpërmjet realizimit të projekteve të përbashkëta.
Pasi që e përgëzoi znj. Caka - Nimani për zgjedhjen e saj në krye të Gjykatës Kushtetuese, z. Szunyog konfirmoi se ofrimi i asistencës për institucionet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit mbetet prioritet për Bashkimin Evropian.