19 Maj 2024

Ashton thekson rëndësinë e zbatimit marrëveshjeve të arritura

Prishtinë, 14 mars- Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, takuan sot Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, baroneshën Catherine Ashton.

Në takim morën pjesë edhe ministrja e integrimeve evropiane, zonjusha Vlora Çitaku dhe koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, zotëri Blerim Shala.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e vlerësoi vizitën e zonjës Ashton të rëndësishme meqë kontribuon në kuptimin e rëndësisë së procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, i cili për synim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Presidentja Jahjaga theksoi se i ka dhënë mbështetje dialogut si e vetmja zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin.

Ajo theksoi se procesi i dialogut nuk ka hapur çështje të tjera që lidhen me statusin ose ato që mund të rrënojnë të arriturat e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, dhe vlerësoi se marrëveshjet e arritura deri tash janë një bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka hyrë në procesin e dialogut e përkushtuar për të përmirësuar pozitën e komunitetit serb në Kosovë dhe për t’i integruar ata në jetën institucionale dhe politike të Kosovës.

Ajo tha se duhet të jemi të pakompromisë në insistimin tonë që qeveria e Serbisë duhet të shpërbëjë strukturat e saj ilegale dhe paralele në komunat në veri të territorit të Kosovës, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve serbë.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka treguar se është konstruktive dhe fleksibile brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të saj dhe tha se është me rëndësi arritja e marrëveshjeve që mund të zbatohen me sukses.

Ajo theksoi se i jep mbështetje të plotë procesit të dialogut dhe tha se me rëndësi është që të arrihen zgjidhje afatgjata e përfundimtare që nuk do të cenojnë funksionalitetin e Kosovës.

Presidentja Jahjaga theksoi se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të negociohen dhe nuk ka kthim prapa. Ajo tha se Kosova dëshiron që të konsolidojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe që të përafrohen më shumë me BE-në.

Presidentja Jahjaga theksoi se me rëndësi është që Kosova të marrë sinjale pozitive nga BE-ja, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Ashton, theksoi rëndësinë e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve dhe vlerësoi konstruktivitetin e palëve në këtë proces.

Ajo tha se është arritur një përparim i dukshëm në dialog dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)