Ashton takon Thaçin dhe Daçiqin
Bruksel, 19 tetor - Kryediplomatja e BE-së Catherine Ashton ka njoftuar se sot në Bruksel do të ketë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës si dhe me atë të Serbisë.
Do të flitet për dialogun që do të lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Një ditë pasi Kuvendi i Kosovës i dha dritën e gjelbër Qeverisë që të hyjë në bisedime me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, nga zyra e kryediplomates së BE-së, është lëshuar një deklaratë përmes të cilës ajo njofton se ajo do të takojë kryeministrin Hashim Thaçi dhe kryeministrin serb Ivica Daçiq.
Ashton do të bisedojë me Thaçin dhe Daçiq në takime veç e veç. Tema e vetma është mënyra se si do të zhvillohet dialogu pasi edhe Kosova edhe Serbia sot kanë pranuar të bisedojnë në nivel të lartë politik.
Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton do të takohet nesër në Bruksel me kryeministrin Daçiq. Ajo gjithashtu do të ketë një takim me kryeministrin Thaçi. Qëllimi i këtyre takimeve është të diskutohet rruga që do të ndiqet për dialogun e lehtësuar nga BE, thuhet në deklaratën për media të Zyrës së Ashton.