Ashton shprehet e kënaqur me zbatimin e marrëveshjes
Prishtinë, 10 korrik - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, është shprehur e kënaqur me procesin e deritashëm të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ashton këtë qendrim e ka shprehur në një konferencë për media të mbajtur së bashku me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Sipas saj, ky dialog ka bërë që në Kosovë sot të shihen shumë ndryshime pozitive. Kurse ndryshimi dhe zhvillimi më i rëndësishëm sipas baroneshës Ashton është pikërisht marrëveshja me Serbinë.
Marrëveshja politike është përkthyer në veprime të duhura praktike për zbatimin e saj, ka thënë Ashton.
Ajo ka falënderuar në disa raste kryeministrin Thaçi për rolin e tij në këtë dialog, si edhe ekipet punuese teknike të cilat kohë pas kohe i vazhdojnë punimet në Bruksel.
Mirëpo, para se të ndërmerren edhe disa hapa konkret drejt zbatimit të Marrëveshjes me Serbinë në pjesën veriore të Kosovës, palët e konsiderojnë si të domosdoshëm miratimin e Ligjit të Amnistisë.
E pyetur nga gazetarët se a është e informuar që qeveria përmes ligjit të amnistisë ka përfshi edhe vepra të kryera jashtë territorit të veriut, Ashton tha se nuk dëshiron të përzihet në çështjet që i takojnë Qeverisë së Kosovës.
Por, sipas saj, me zbatimin e këtij ligji do të tregohet përkushtimi i Prishtinës për zbatimin e marrëveshjes.
Unë nuk dua të përfshihen në atë se si mendojnë qeveria dhe kryeministri ti qojnë para çështjet që u takojnë atyre. Mirëpo interesimi im është që të sigurohemi që ajo për të cilën është arritur marrëveshje të zbatohet. Shpresojmë që zbatimi i Ligjit do të jetë demonstrim i përkushtimit jo vetëm të qeverisë por edhe Kuvendit, është shprehur Ashton.
Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se nuk është Kosova e para që po miraton Ligjin mbi amnistinë.
Sipas tij, një ligj i tillë është më se i nevojshëm për zbatimin e marrëveshjes me Beogradin. Ndërkaq kundërshtarët e këtij ligji i ka ftuar ta lexojnë atë më mirë dhe të informohen drejtë rreth përmbajtjes së tij.
E di se ka pasur keqkuptime dhe keqinterpretime të ndryshme, herë të motivuara politikisht, por edhe mos-informime të ndryshme. Por, në rrethana çfarë jemi ne, duke e respektuar edhe Marrëveshjen e 19 prillit, Ligji për amnisti është i nevojshëm, është i domosdoshëm dhe të njëjtën kohë është një standard i marrëveshjeve politike çfarë është edhe ajo e 19 prillit, ka thënë Thaçi.
Ligj për amnisti sipas tij kanë bërë edhe vendet tjera të rajonit, duke u nisur nga Sllovenia, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Serbia në vitin 2001, dhe pastaj edhe Maqedonia me Marrëveshjen e Ohrit.
\"Por, unë dua të theksoj se e gjitha që është përfshirë, është përfshirë në kuadër të Kushtetutës, dhe ligjeve të Kosovës, dhe është jashtëzakonisht me interes, që e gjithë skena politike kosovare, me përjashtime të vogla, është unike dhe mbështetëse e procesit të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.\"
\"Dhe, ne të gjithë këtë përpjekje që jemi duke bërë, jemi duke e bërë në atë drejtim, që të integrohen njerëzit në shoqërinë dhe institucione, dhe jo të përjashtohen\", ka thënë Thaçi.