Ashton në Kosovë
Shefja e diplomacisë Evropiane gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë do të nisë takimet fillimisht me presidenten Atifete Jahjaga, kryeministrin Hashim Thaçi dhe më pas liderët e partive opozitare që kanë mbështetur bisedimet.
I vetmi subjekt politik që nuk ka shprehur interesim për të takuar zonjën Ashton është Lëvizja Vetëvendosje, e cila vazhdon të kundërshtojë ashpër procesin aktual të bisedimeve Prishtinë - Beograd, të ndërmjetësuar nga Brukseli.
Zyrtarë të qeverisë së Kosovës, janë shprehur se kjo vizitë përbën një mundësi të mirë që Prishtina të rikonfirmojë pozicionin e saj në dialogun dypalësh.
Vetë kryeministri Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit të tij e ka vlerësuar vizitën e zonjës Ashton si një inkurajim për Prishtinën dhe si një veprim që do të çojë përpara proçesin e bisedimeve.
Kjo vizitë do ti lëvizë gjërat përpara, në mënyrë që marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit të arrihen më herët, ka deklaruar Thaçi.
Deklaratat e presidentit serb, se Prishtina është gati të ndryshojë kushtetutën, kreu i qeverisë kosovare i ka ricilësuar si gënjeshtra të një mentaliteti të vjetër.
Ato janë deklarata të mentaliteti të politikës së vjetër të Beogradit, që bëhen vetëm për të kënaqur opinionin e brendshëm publik, ka thënë Thaçi
Në Bruksel të mërkurën para vizitës së diplomates kryesore të BE-së, nuk kanë komentuar dallimet dhe deklarimet kontradiktore të Beogradit dhe Prishtinës rreth interpretimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.
Takimi i radhës Thaçi-Daçiç për normalizimin e mardhënieve mes dy vendeve pritet të zhvillohet më 20 mars.