Arrin nota verbale nga El Salvadori
Prishtinë, 4 tetor - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes Konsullatës së Përgjithshme në New York, ka pranuar notën verbale të njohjes së Kosovës nga Republika e El Salvadorit.
Në notë verbale, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së El Salvadorit e informon ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, për vendimin e Qeverisë së Republikës së El Salvadorit për njohjen e Republikës së Kosovës shtet sovran.
Në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën, ministri Hoxhaj gjatë tre vjetëve të fundit ka zhvilluar disa vizita në Amerikën Latine dhe Qendrore, ku ka takuar përfaqësuesit e lartë të shteteve të kësaj pjese të botës.
Arritja e notës verbale nga El Salvadori ka formalizuar njohjen e Kosovës nga ky shtet, që shtrihet në Amerikën Qendrore dhe ka mbi gjashtë milionë banorë.