07 Maj 2024

Arrin nota verbale e njohjes së Kosovës nga Fixhi

Prishtinë, 22 nëntor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar notën verbale dhe një letër për njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës nga Republika e Fixhit.

Në përputhje të plotë me njoftimin e para dy ditëve të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka bërë publik në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, njohjen e Republikës së Kosovës nga ky shtet, nota verbale konfirmon këtë akt të rëndësishëm për shtetin e Kosovës.

Në letrën që ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Fixhit, Inoke Kubuabola, i ka dërguar ministrit Hoxhaj, konfirmohet vendimi zyrtar i Qeverisë së Republikës së Fixhit për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës.

“Dëshiroj të ju njoftoj se me këtë njohje formale, Fixhi shpreh gatishmërinë që të procedohet vendosja formale e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve tona”, thuhet në letrën e ministrit Kubuabola, dërguar ministrit Hoxhaj.

Në letër po ashtu shprehet vullneti i Qeverisë së Fixhit, që pas njohjes formale të pavarësisë së Kosovës, të thellohet bashkëpunimi si dhe shkëmbimet e përvojave në forumet ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve tona.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë këtij viti ka pasur kontakte të shpeshta dhe takime direkte me liderët e këtij shteti.

Në muajin gusht, në kuadër të vizitave lobuese në Oqeani, Hoxhaj ka zhvilluar edhe një vizitë në Republikën e Fixhit, ku ka zhvilluar takime me homologun Inoke Kubuabola dhe kryeministrin e Fixhit, duke kërkuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Po ashtu, në shtator, gjatë pjesëmarrjes në takimin  Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ministri Hoxhaj ka zhvilluar edhe një takim tjetër me homologun nga Fixhi, ku kishte marrë përkrahjen e këtij shteti për shtetin e Kosovës.

Republika e Fixhit shtrihet në pjesën jugore të Oqeanit Paqësor, ka kryeqytet Suvan dhe një popullsi prej mbi 800 mijë banorë.

Fixhi është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara nga tetori i vitit 1970.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)