Arifi: PDK-ja po i bllokon institucionet
Prishtinë, 2 tetor - Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, ka thënë se shtyrja e vazhdimit të seancës konstituive nga kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina,është e dëmshme për demokracinë dhe parlamentarizmin në Kosovë
Ai ka thënë në një intervistë për Epokën e re se një veprim i tillë është një goditje e rëndë e angazhimeve të presidentes Jahjaga për ta tejkaluar ngërçin politik.
Besoj se ky veprim i Brovinës është goditje ndaj angazhimeve të presidentes Jahjaga dhe nuk i shërben askujt, as PDK-së, është shprehur Arifi, duke e akuzuar PDK-në për bllokimin e formimit të institucioneve të reja.
PDK-ja është duke vazhduar bllokimin e formimit të institucioneve të reja, përfshirë edhe konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Po ashtu, PDK-ja është duke vazhduar ti torturojë qytetarët e Kosovës dhe po u shkakton dëme afatgjata institucioneve të Kosovës, me shpresë se blloku do ta marrë përgjegjësinë e tyre, ka deklaruar Arifi. Në këtë kontekst, Arifi ka thënë se shtyrja e seancës është dëshmi se askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me PDK-në.
Pra, kjo është një dëshmi se asnjëra nga partitë politike shqiptare nuk dëshiron të jetë në koalicion me PDK-në, ka theksuar Arifi.