Arbërie Nagavci, kandidate e VV për Kryetare të Gjakovës
Prishtinë, 29 gusht - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjakovë mbajti konferencë për media me çrast shpalli rezultatet e zgjedhjeve të brendshme si dhe kandidaten për Kryetare të Komunës së Gjakovës.
Me 25 gusht, aktivistët e pikave të Vetëvendosje!-s në Gjakovë votuan në zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje!, për kandidat për Kryetar të Komunës së Gjakovës. Në këtë garë garuan dy kandidatë: znj. Arbërie Nagavci si dhe Jakup Dobroshi.
Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës konstaton se procesi i votimit ishte korrekt dhe pa probleme. Nuk ka pasur asnjë ankesë. Fituese e këtyre zgjedhjeve për kandidat për Kryetar të Komunës së Gjakovës është znj. Arbërie Nagavci, me 87% të votave, tha Rubik Bejtullahu nga Komisioni Zgjedhor ad hoc i Qendrës në Gjakovë.
Kandidatja për Kryetare të Komunës së Gjakovës, znj. Arbërie Nagavci, në fjalën e saj të rastit falënderoi aktivistët për besimin e dhënë.
Jam në Lëvizjen Vetëvendosje! sepse besoj në konceptin dhe parimet e saj. Kam qenë vetëvendosëse sikur të gjithë bashkëqytetarët e mi që e duan drejtësinë, prosperitetin dhe marrin përgjegjësë për të mirën e këtij vendi. Kjo nuk është vetëm një garë, kjo është mundësi që pushteti ti kthehet qytetarit. Është koha që qeverisja ti kthehet popullit, është momenti që keqqeverisja në komunën e Gjakovës të merr fund.\"
\"Andaj, besoj që kjo nuk duhet te jetë vetëm garë ndërmjet nesh dhe të tjerëve, por të jetë bindje e qytetarëve te Gjakovës se Lëvizja Vetëvendosje! është për të mirën e vendit, është për komunën e Gjakovës, është për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë, tha Nagavci.
Ajo shtoi se Komuna e Gjakovës në vitet e pasluftës ka ngecur në të gjitha aspektet. Qytetarët e Gjakovës ballafaqohen me haraç, fajde, dhe me uzurpime te pronave. Vetëvendosje! është subjekti i vetëm që do ta luftojë haraçin, krimin dhe dukuritë tjera negative në Komunën tonë, theksoi Nagavci, duke shtuar se Lëvizja do ta kthejë besimin tek njerëzit që e duan zhvillimin ekonomik dhe që duan të investojnë lirshëm në Komunën e Gjakovës.
Pas saj, fjalën e mori dr. Driton Çaushi, i angazhuar së fundmi në Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje! në Gjakovë. Ai para të pranishmëve tregoi se si është njoftuar me Vetëvendosje!-n në vitin 2005.
Derisa nënat e Gjakovës në mënyrë të dëshpëruar në rrugë kërkonin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre të pagjetur, dhe derisa partitë politike kishin halle tjera, një grup i të rinjve që bashkëndjente me këto gra, me besnikëri i shoqëronte ato protestë pas proteste. Me gjithë simpatinë dhe admirimin që kisha për këto vajza dhe djem të Lëvizjes, vazhdoja të isha skeptik se në Kosovë ka shpresë për një ndryshim, tha Çaushi, duke shtuar së fundmi, bashkë me një grup njerëzish, kuptoi se të ankohesh duke qëndruar duarkryq, është hipokrizi.
Ai në vazhdim prezantoi një pjesë të atyre që kanë vendosur të thyejnë heshtjen dhe apatinë, e ti bashkohen përpjekjeve të Lëvizjes Vetëvendosje!: Enver Vula, ekonomist dhe ish kryetar i komunës; Visar Haxhibeqiri, arkitekt; Afrim Sahatqia, pronar biznesi; Drita Bunjaku, juriste; Ermal Kusari, veterinar; Hashim Këpuska, profesor në UP; Arbëresha Tahiraj, studente e ekonomisë; Fitim Arbrashi, ekonomist; Jeton Dalladaku, arkitekt; Agon Batusha, student i integrimeve evropiane; Ruzhdi Domi, kameraman i njohur. Të njëjtit, bashkë me shumë të tjerë, do të jenë kandidate e kandidatë për asamblenë komunale të Gjakovës tha në fund Driton Çaushi.
Kryetari i Vetëvendosje!-s, Albin Kurti, përgëzoi Qendrën e Lëvizjes në Gjakovë për demokracinë brendshme, ndërkaq zonjës Arbërie Nagavci ia uroi fitoren.
Arbërie Nagavci ka lindur me 29 mars të vitit 1970. Ka përfunduar studimet në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, por njëkohësisht edhe Fakultetin Juridik, ku tash i vijon studimet master në në degën Marrëdhënie Ndërkombëtare.\"
\"Prej vitit 1995 deri në vitin 2006 ka qenë mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore Yll Morina, kurse nga viti 2006 deri në vitin 2012 ka qenë drejtoreshë e po të njëjtës shkollë. Znj. Nagavci është angazhuar në shumë programe të USAID-it, KEC-it, MASHT-it, si kryefasilituese për udhëheqjen dhe menaxhimin e shkollave, si trajnere për të drejtat e njeriut, të fëmijëve, e të tjera. Ka mbaruar po ashtu edhe programin gjashtë-javor për lidership në SHBA, tha Kurti, përderisa fliste për kandidaten Nagavci.
Lirisë së Kosovës, Gjakova ia dha 219 dëshmorë, rreth 1000 martirë si dhe qindra invalidë të luftës.
Gjakova ka qenë një nga komunat e rralla në Kosovë, për të mos thënë e vetmja, ku është zhvilluar edhe luftë urbane. Me 27 prill të vitit 1999, ndodhi një nga krimet më makabre të regjimit të Millosheviqit, Masakra e Mejes. Atë ditë, u vranë dhe u zhdukën 377 shqiptarë civilë të paarmatosur e të pambrojtur, vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Trupat e shumicës prej tyre u gjetën paslufte nëpër varreza masive në Kosovë dhe Serbi, përderisa një pjesë e konsiderueshme ende nuk dihet se ku janë varrosur, tha Kurti.
Ai shtoi se tek e vërteta arrihet duke kërkuar përgjegjësi dhe se nevojitet vullneti politik e institucional për ti akuzuar dhe ndjekur përgjegjësit, pasi që dihet kush janë e ku jetojnë.
Duke folur për zhvillim ekonomik në Gjakovë, Kurti tha se Gjakova nga një qytet industrial, është shndërruar në një ndër qytetet më të varfra të Kosovës.
Në vitin 1989, kanë qenë 45 ndërmarrje shoqërore me mbi 20 mijë punëtorë. Ka qenë e zhvilluar gjithashtu edhe ekonomia private, ku kanë qenë të regjistruara 920 subjekte afariste. Fabrika \"Elektromotori\", ishte një ndër fabrikat më të rëndësishme të Gjakovës. Në ditët e saj më të mira, kjo fabrikë prodhonte 1.380.000 motorë në vit, numrin e punëtorëve ta rris në 1030 punëtorë, tha Kurti, duke shtuar se kjo fabrikë gjysmën e prodhimit e shiste brenda tregut të ish-Jugosllavisë, e gjysmën e eksportonte në Gjermani, Çekosllovaki, Rusi e Turqi.
Deindustrializimi i komunës Gjakovës ka bërë që të humbet vazhdimësia e punës që ekzistonte në fabrikë dhe shumë punëtorë dalëngadalë kanë humbur aftësitë e tyre profesionale. Ndërmarrjet që janë privatizuar kryesisht gjatë vitit 2006 si Mulliri, Modeli, Kooperativa e Becit e të tjera janë joaktive, ndërsa vetëm Dukagjini dhe ish-fabrika e tjegullave Niki S, janë duke punuar e mbijetuar me vështirësi.
Gjakova i do ndryshimet për hir të vetvetes. Emri i subjektit që sjellë ndryshime është Vetëvendosje!
Emri i njeriut që sjellë ndryshime është Arbëria Nagavci. Vota për Arbërie Nagavcin dhe Vetëvendosje!-n është votë për ndryshime në Gjakovë, tha në fund Albin Kurti.