Aprovohen 163 kërkesa të personave të riatdhesuar
Prishtinë, 20 shkurt - Bordi Ekzekutiv për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar në Kosovë mbajti takimin e radhës në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Në këtë takim morën pjesë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, zëvendësministri i Punëve të Brendshëm, Izmi Zeka, Sekretarët e Përgjithshëm të ministrive të Qeverisë së Kosovës, të cilët janë anëtarë të Bordit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, zyrtarët e Sekretariatit të Bordit si dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, pasi përgëzoi Bordin për punën e deritanishme, kërkoi përkushtim edhe më të madh në mbështetjen e personave të riatdhesuar për ri-integrimin e tyre, sidomos në zhvillimin e kurseve të gjuhës dhe projekteve për gjenerim e të hyrave vetanake, me qëllim që ky proces të jetë sa më i qëndrueshëm.
Ndërsa, kryesuesi i Bordit, Ilhami Gashi, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, theksoi se të gjitha palët e përfshira në këtë proces janë duke i përmbushur të gjitha detyrat dhe obligimet që dalin nga Strategjia për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar.
Por sipas Gashit gjithnjë nevojitet përkushtim i vazhdueshëm në këtë proces jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën, sidomos për ri-integrim të qëndrueshëm të personave të riatdhesuar.
Në këtë takim u aprovuan 163 kërkesa të personave të riatdhesuar për mbështetje nga Programi i Ri-integrimit, bazuar në kriteret për përfitim nga ky program.
Kërkesat kryesisht kanë të bëjnë me pako ushqimore, higjienike, sigurim të banimit, strehimit, ndërtim, renovim të shtëpive dhe financimin e projekteve për gjenerimin e të hyrave vetanake.