Apostolova u takua sot me kryeministrin e sapozgjedhur Haradinaj
Prishtinë, 11 shtator - Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë / Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, u takua sot me Ramush Haradinajn, Kryeministrin e sapozgjedhur të Kosovës, për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për Qeverinë e Kosovës dhe njerëzit në trajtimin e sfidave më të mëdha të saj, si ekonomia, arsimi dhe sundimi i ligjit.
Ambasadorja Apostolova rikujtoi deklaratën e sotme të BE-së dhe njoftoi se do të pasojë një letër drejtuar Kryeministrit dhe ministrave, ku do të nënvizojnë prioritetet e BE-së dhe mënyrat se si BE mund të plotësojë përpjekjet e qeverisë për të trajtuar çështjet e rëndësishme për qytetarët.
Kryeministri Haradinaj e falënderoi BE-në për kontributin bujar për ta bërë Kosovën të suksesshme. Ai nënvizoi se qeveria e tij do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit si dokument kyç që drejton marrëdhëniet Kosovë-BE dhe e mirëpriti dërgimin e letrave drejtuar Ministrave si një mjet për të ndihmuar në politikat sektoriale të qeverisë.
Ai u angazhua për të punuar me të gjitha komunitetet në Kosovë, duke i bërë ata të ndjehen anëtarë të barabartë dhe të plotë të shoqërisë kosovare.
Kryeministri dhe ambasadorja e BE-së ranë dakord të bashkëkryesojnë një takim me të gjithë shefat e misioneve të BE-së në Kosovë në ditët në vijim për të detajuar planin e qeverisë për të forcuar marrëdhëniet Kosovë-BE.