Analizohen modelet për krijimin e Akademisë së Drejtësisë
Shkup, 20 nëntor - Ministria e Drejtësisë me mbështetjen e GIZ-it, është duke mbajtur në Shkup tryezë pune dy ditore për Akademinë e Drejtësisë së Kosovës.
Kjo tryezë pune do të ketë për qëllim diskutimin dhe nxjerrjen e një projekt-propozimi për modelin më të mirë për Akademinë e Drejtësisë së Kosovës, i cili më pas do të inkorporohet në Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Pjesëmarrës në këtë tryezë pune janë udhëheqësit e institucioneve gjyqësore të Kosovës: Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Gjykatës Supreme, si dhe përfaqësues nga Zyra e BE-së në Kosovë, UNDP, USAID, OSBE, EULEX etj.
Në punimet që janë duke u zhvilluar sot në këtë tryezë, është duke u analizuar gjendja aktuale e gjyqësorit dhe nevojat për reforma për arsimimin juridik, kurse nesër në program është parapare diskutimi i strukturës institucionale të Akademisë së Drejtësisë.