Ambasadorja zvicerane interesohet për Mitrovicën
Mitrovicë, 3 janar - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, priti të mërkurën në takim ambasadoren e Zvicrës, Kristina Marti Lang, me të cilën bisedoi për situatën e përgjithshme në Mitrovicë.
Me theks të veçantë u bisedua për aktualitetin politik si dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik në këtë komunë.
Kryetari Bahtiri e njoftoi ambasadoren zvicerane, për sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët e Mitrovicës.
Në këtë kontekst, ai përmendi në radhë të parë papunësinë e madhe, për çka nevojiten projekte të fuqishme zhvillimore dhe mbështetje edhe nga donatorët.
Ai tha se janë të vendosur që të lehtësojnë procedurat për investitorët, në mënyrë që në një kohë sa më të shpejtë të ndjehet ndryshimi për të mirë.
Jemi të vendosur që Mitrovicën ta bëjmë një qytet të zhvilluar ekonomikisht dhe për këtë do të punojmë natë e ditë, tha ai.
Në anën tjetër, ambasadorja Marti Lang, u shfaq e impresionuar me vendosmërinë e kryetarit Bahtiri në drejtim të përmirësimit të cilësisë së jetës për qytetarë.
Ajo tha se Zvicra do të vazhdoj të mbështes proceset që kanë të bëjnë me normalizimin e jetës në Mitrovicë dhe në gjithë Kosovën.
Në këtë takim u bisedua edhe për problemet që kanë dalur sa i përket parcelës që komuna ia ka dhënë në shfrytëzim Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit.
Të dy palët u dakorduan që të punojnë bashkërisht për tejkalimin e problemeve që kanë dalur në këtë drejtim.