Ambasadori Peci i dorëzoi letrat kredenciale Mbretit të Norvegjisë
Oslo, 16 dhjetor - Ambasadori i Republikës së Kosovës, Lulzim Peci, në një audiencë solemne në pallatin mbretëror në Oslo, i dorëzoi të enjten Letrat Kredenciale Lartmadhërisë së Tij, Mbretit Harald V të Norvegjisë.
L.T. Mbreti Harald V i Norvegjisë u njoftua nga Ambasadori Peci për progresin e arritur në Republikën e Kosovës në ndërtimin e shtetësisë dhe institucioneve demokratike, integrimin e komuniteteve pakicë dhe marrëdhëniet me vendet fqinje, si dhe u falënderua për ndihmën konsistente të Mbretërisë së Norvegjisë dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës.
L.T. Mbreti Harald V i Norvegjisë shprehu kënaqësinë për vizitën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi në Oslo në fund të nëntorit 2011. Ambasadori Peci theksoi se për të është nder i jashtëzakonshëm që është akredituar si Ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Norvegjisë, dhe që kjo ndodh pikërisht në momentin kur marrëdhëniet bilaterale janë në nivelin më të lartë.
Ambasadori Peci në fund të audiencës solemne me L.T. Mbretin Harald V të Norvegjisë theksoi se marrëdhëniet bilaterale me Mbretërinë e Norvegjisë janë prioritet i lartë për Republikën e Kosovës, dhe siguroi se do të bëjë çfarë është e mundur brenda kompetencave të tij që këto marrëdhënie të intensifikohen në të ardhmen.
Me aktin e dorëzimit të Letrave Kredenciale L.T. Mbretit Harald V, Ambasada e Republikës së Kosovës në Stockholm e mbulon Mbretërinë e Norvegjisë si mision diplomatik jorezident i akredituar në Oslo.