Ambasadori Kosnett e përgëzoi Kryeministrin për performancën e deritanishme
Prishtinë, 17 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga shefi i stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, priti sot në takim ambasadorin Philip Kosnett dhe shefen e Njësisë së Ekonomisë pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë, znj. Lori Michaelson.
Ambasadori Kosnett e përgëzoi Kryeministrin për performancën e deritanishme të qeverisë, aprovimin e Buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe për masat e ndërmarra dhe angazhimin e qeverisë në lidhje me Corona Virus COVID-19.
Znj. Michaelson nënvizoi rëndësinë e orientimit të buxhetit të ri veçanërisht në aspekte zhvillimore.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin, z. Kosnett, për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Kosovës.
Më tutje ai theksoi se për vendin, në këto momente, është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i kushtohet tërësisht vëmendje aspektit shëndetësor të njerëzve dhe vitalitetit të ekonomisë.