Ambasadori Dell mbështet Thaçin për zgjedhjet në 2013
Prishtinë, 22 nëntor - Propozimit të kryeministrit Hashim Thaçi, që zgjedhjet presidenciale të mbahen më 2013, e jo më 2012, siç është precizuar me marrëveshjen e arritur muaj më parë ndërmjet Thaçit- Mustafës e Pacollit, i ka dhënë mbështetje edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Christofer Dell.
Përfaqësuesi diplomatik i SHBA-ve, që në Kosovë njihet si njeriu më i fuqishëm, ka thënë se nuk është i informuar nëse është arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet disa subjekteve politike për kohën e mbajtjeve të zgjedhjeve presidenciale, ashtu siç kanë raportuar mediet rreth marrëveshjes ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa, shkruan Zëri.
Mirëpo, ai ka thënë se mbështet shtyrjen e afateve të mbajtjes së zgjedhjeve, në qoftë se kjo nevojitet për një proces të mirëfilltë zgjedhor.
Këto deklarata ai i ka bërë të hënën, gjatë një paraqitjeje para medieve, pas një takimi që ka pasur me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Unë ende nuk e di se a është arritur ndonjë marrëveshje apo është biseduar lidhur me këtë nga udhëheqësit politikë apo nga udhëheqësit e partive politike. Por nëse mendohet se nevojitet më shumë kohë që të merren me këtë çështje në mënyrë që të pasqyrohet vullneti i popullit, atëherë unë e mbështes dhe ma merr mendja që edhe kolegët e mi do ta mbështesin një gjë të tillë, ka thënë ambasadori Dell.
Megjithatë, debatin e fundit rreth kohës së mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, Dell e ka cilësuar si fals dhe një fushatë që sipas tij, po nxitet përmes gazetave.