Ambasadori Dell largohet në korrik
Prishtinë, 29 shkurt - Ambasadori amerikan, Christopher Dell përfundon në korrik mandatin e tij si përfaqësues diplomatik i SHBA-ve në Kosovë.
Ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht koha se kur pritet të largohet ambasadori Dell, burime të Zërit kanë bërë të ditur se ai pritet të largohet gjatë muajit korrik.
Pas 4 korrikut ambasadori Dell largohet nga Kosova, pasi që përfundon misionin e tij trevjeçar këtu. Largimi i tij do të ndodhë saktësisht mes datave 4-15 korrik, thotë për Zërin, një zyrtar i lartë amerikan.
Ndërsa, zëdhënësi i Ambasadës Amerikanë në Prishtinë, Paul Engelstad, thotë se ambasadori Dell pritet që këtë vit ta përfundojë mandatin, megjithatë nuk jep data se kur mund të ndodhë një gjë e tillë.
Dell do të zëvendësohet nga diplomatja amerikane, Tracey Ann Jacobson. Zëdhënësi Engelstad thotë se diplomatja Jacobson është emëruar nga administrata e Shtëpisë së Bardhë, e cila do ti prezantohet senatit amerikan për konfirmim final.
Një gjë e tillë do të bëhet pasi që senati të mbajë mbledhjen, tha më tej Engelstad. Diplomatja Jacobson, momentalisht shërben si zëvendësdrejtoreshë e Institutit për Shërbim të Jashtëm (FSI).
Ajo më parë ka qenë ambasadore e SHBA-së në Taxhikistan (2006-2009) dhe në Turkmenistan (2003-2006).
Jacobson ka shërbyer edhe si zëvendëssekretare ekzekutive në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, ndërsa ka punuar si diplomate në Seul të Koresë Jugore, Massau të Bahameve dhe Moskë të Rusisë.
Ambasadori i deritashëm, Christofer Dell, ka shërbyer dy herë në Prishtinë. Së pari ai ishte shef i zyrës amerikane në vitet 2000-2001, dhe herën e dytë si ambasador, gjegjësisht nga viti 2009 e deri më tani.