Ambasadori Delawie viziton Komunitetin Protestant Ungjillor
Prishtinë, 27 mars - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës z. Greg Delawie i bënë një vizitë komunitetit Protestant Ungjillor të Gjakovës.
Në mjediset e Bashkësisë së Zotit Jezus-Evangjeliste në Gjakovë mysafirët u mirëpriten nga pastorët Nikë Krasniqi dhe Jeton Sokoli si dhe misionarja Jacqueline Meihsner.
Fillimisht nikoqirët i treguan ambasadorit Delawie objektin kishtar në Gjakovë i cili ishte ndërtuar me ndihmën vetanake të kishës protestante.
Më pas pastorët i njoftuan mysafirët me shtrirjen dhe organizimin e komunitetit protestant në komunën e Gjakovës dhe bashkëpunimin e mirë që kanë me bashkësitë tjera fetare në këtë komunë.
Pastorët i shprehën ambasadorit shpresën e tyre që çështja e varrezave për komunitetin Protestant në këtë komunë të shoh dritën.
Ata gjithashtu u shprehën optimist që udhëheqja komunale të veprojë në mënyrë jo diskriminuese edhe sa i përket urimeve për festa dhe trajtimit të barabartë me rastin e përfshirjes së përfaqësuesve tonë në jetën e Komunës.
Mbesim me shpresë që barazia të reflektohet edhe në dokumentet zyrtare të kësaj komune siç janë faqja zyrtare dhe shenjat e qytetit që të tregojnë kah kishat tona, nënvizuan pastorët.
Në fund të vizitës nikoqirët i falënderuan mysafirët për interesimin e tyre dhe angazhimin e vazhdueshëm të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë në funksion të respektimit të lirisë fetare në vendin tonë!