Ambasadori Delawie në mbështetje të demarkacionit
Në fjalën e tij, në tryezën shkencore-profesionale në Kuvendin e Kosovës, ambasadori Delawie tha se analizat e ekspertëve tanë hartografikë mbështesin demarkacionin e kufirit që e ka kryer Komisioni shtetëror i Kosovës.
E theksoj se puna e komisionit është e njëjtë sikundër ajo e përgatitur nga Kosova në Eurogeografics më 2007, në përgatitjet për pavarësi. Të njëjtat siç janë përdorur në planin Ahtisaari, që është bazë e pavarësisë së Kosovës. Të njëjtat që përshkruhen në Kushtetutën e Kosovës, të njëjtat që shihen në flamurin e Kosovës, që Kuvendi e miratoi më 2008, tha ambasadori Delawie.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë e mirëpriti nismën e Kuvendit për të organizuar tryezën si një mundësi për një debat të hapur dhe të sinqertë për çështjen dhe do të shndërrohet në një model të diskutimit të çështjeve të tjera edhe më të komplikuara në të ardhmen për vendin.
Ky debat, i cilësuar si shkencor dhe profesional për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka filluar punimet në Kuvendin e Kosovës, me pjesëmarrjen e Komisionit shtetëror për shënimin e vijës kufitare, ekspertë të ndryshëm, deputetë dhe udhëheqës të institucioneve.