Ambasadorët politikë, në kundërshtim me ligjin
Prishtinë, 14 shtator - Procesi i emërimit të ambasadorëve të rinj ka ngecur si pasojë e tejkalimit të kuotës së të emëruarve politikë.
Muajt e fundit, nga tre sa i janë dërguar presidentes së Kosovës për dekretim, vetëm Vlora Çitaku, e propozuar për ambasadore në Uashington, është dekretuar.
Ndërkohë, ka më shumë se tre muaj që dekretimin e presin Leon Malazogu, i propozuar për ambasador në Tokio, si dhe Bujar Bukoshi, i cili është propozuar të dekretohet si Ambasador-at-large për organizata ndërkombëtare.
Në rastin e Bukoshit, problem paraqet edhe fakti se emërimi i tij tentohet të bëhet për një gradë ambasadoriale që nuk është e paraparë me ligj.
Ndërkohë, Koha Ditore ka marrë vesh se propozimet e vazhdueshme politike të Qeverisë për ambasadorë kanë bllokuar dekretimin e emrave që tashmë kanë kaluar procedurat nëpër Komisionin për Punë të Jashtme.
Burime të ndryshme të afërta me Qeverinë i kanë thënë gazetës se tejkalimi i numrit të paraparë të të emëruarve politikë për ambasadorë ka shkaktuar ngecjen e dekretimeve të mëtutjeshme.
/Koha Ditore/