Ambasadorët Mendes dhe Dowling i dorëzuan letrat kredenciale
Prishtinë, 3 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot, në takime të ndara, ambasadorin e Portugalisë në Budapest, jorezident për Kosovë, Jorge Mendes, si dhe ambasadorin e Irlandës në Budapest, Kevin Dowling, gjithashtu jorezident për Kosovë, të cilët i dorëzuan letrat kredenciale.
Presidentja Jahjaga i uroi ambasadorët për detyrën e re, duke vlerësuar lart marrëdhëniet midis dy vendeve me Republikën e Kosovës dhe i falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha proceset shtetndërtuese e demokratike nëpër të cilat ka kaluar Republika e Kosovës.
Presidentja siguroi ambasadorët se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara të ndërmarrin të gjitha reformat e nevojshme për të përmbushur sa më parë obligimet e tyre drejt përafrimit të mëtejshëm me Bashkimin Evropian.
Ajo tha se Kosova do të vazhdojë të jetë promotore e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe shembull i marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Ambasadorët e vlerësuan lart progresin dhe reformat e ndërmarra nga Republika e Kosovës dhe theksuan gatishmërinë e përkushtimin e qeverive të shteteve të tyre për të vazhduar bashkëpunimin dhe mbështetjen e mëtejshme ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në BE dhe NATO.
Ata theksuan edhe rëndësinë e dialogut në mes Republikë së Kosovës dhe Republikës së Serbisë për paqen dhe stabilitetin në Rajon.