Ambasadorët e Quintit kërkojnë vazhdimin e dialogut
Prishtinë, 12 prill - Përfaqësues nga pesë shtetet e Quintit, Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë mendim të përbashkët, se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë. Sipas tyre, pos dialogut nuk ka tjetër rrugëdalje.
Në kontaktet e fundit të baroneshës Catherine Ashton me përfaqësues të këtyre shteteve, i është thënë asaj që normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve duhet të arrihet, dhe për këtë duhet bërë presion palës serbe, e cila nuk po pranon marrëveshjen.
Kështu ka thënë për Zërin një diplomat në Bruksel, sipas të cilit, Serbia medoemos do të pranojë marrëveshjen, sepse zgjidhja tjetër është vetëm bllokimi i vetes karshi botës perëndimore.
Besoj se nuk mund të presim përgjigje pozitive nga Beogradi brenda këtyre ditëve. Sidoqoftë, shtetet e Quintit po shikojnë mundësinë e një dialogu të ri, një gjetje të re, që të arrihet sukses. Kjo duhet të ndodhë, sepse kjo është e vetmja rrugë dhe procesi nuk bën të dështojë, tha ky zyrtar.
Nga Serbia është kërkuar që pranojë marrëveshjen këto ditë për shkak se më 16 prill miratohet raporti i Komisionit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, derisa baronesha Chaterine Ashton të hënën, më 22 prill, raporton para ministrave të jashtëm të BE-së për dialogun Kosovë Serbi.