Ambasadorët e Finlandës, Norvegjisë dhe Çekisë urojnë kryeparlamentaren Osmani
Prishtinë, 10 shkurt - Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, u takua sot me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall.
Znj. Osmani pranoi urimet e ambasadores për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit dhe tha se do të angazhohet në përkrahjen e iniciativave në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në Kosovë.
Në takim u diskutua lidhur me planin e punës së Kuvendit edhe në fushën e diplomacisë parlamentare, si dhe për mbikëqyrjen sa më efektive të punës së ekzekutivit.
Ambasadorja Stjernvall, ka përcjellë urimet e kryetarit të Parlamentit finlandez për kryeparlamentaren Osmani.
Kryetarja e Kuvendit ka vlerësuar partneritetin e Kosovës me shtetin e Finlandës dhe ka shprehur vullnetin për ta intensifikuar bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.
Në takimin e radhës, dr. Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, z. Jens Erik Grondahl.
Në këtë takim kryetarja e Kuvendit të Kosovës, znj. Osmani, ka pranuar urimet me rastin e zgjedhjes në postin e kryetares së Kuvendit.
“Po përpiqemi për ta fuqizuar rolin e punës së Kuvendit të Kosovës, në funksion të efikasitetit të punës së institucioneve, rritjes së transparencës dhe afirmimit të të drejtave të njeriut”, ka thënë kryeparlamentarja Osmani.
Në takim u diskutua mundësia e bashkëpunimit parlamentar me shtetin e Norvegjisë si dhe thellimit të bashkëpunimit edhe në fusha tjera.
Gjatë ditës së sotme, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u takua edhe me ambasadorin e Republikës Çeke, Pavel Bílek.
Në këtë takim, ambasadori Bílek i dorëzoi kryeparlamentares Osmani telegramin e urimit nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Senatit Çek, z. Jiří Růžička, për marrjen e mandatit të kryetares së Kuvendit.
Me këtë rast, ambasadori Bilek potencoi gatishmërinë e Republikës Çeke të rrisë bashkëpunimin me Republikën e Kosovës, sidomos në fushën e ekonomisë.
Në të njëjtën kohë, ambasadori Bílek konfirmoi përkrahjen e shtetit çek për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Ndërkaq kryeparlamentarja Osmani shfaqi përkushtimin për dinamizimin e punës së legjislativit kosovar.
“Kuvendi duhet të miratojë ligje kualitative që do ta përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Osmani.
Ajo ka potencuar nevojën e bashkëpunimit ndërpartiak dhe krijimin e konsensusit nacional për çështjet që ndërlidhen me agjendën evropiane, si dhe luftimin e krimit e korrupsionit në vend. â