Ambasada Gjermane: Nuk jemi të përfshirë në asnjë skandal
Prishtinë, 9 tetor - Ambasada Gjermane në Kosovë ka bërë një reagim në lidhje me raportimet për falsifikimet me viza.Në komunikatën për media thuhet se kjo përfaqësi diplomatike nuk është e përfshirë në skandal,por ka parandaluar marrjen e vizave pasi ka zbuluar certifikata të falsifikuara.
Më poshtë mund të lexoni të plotë komunikatën e Ambasadë Gjermane në Prishtinë.
Informatë lidhur me artikullin e revistës Focus për çertifikatat gjuhësore të falsifikuara
Si reagim ndaj raportimit të gabuar të disa medieve kosovare lidhur me artikullin e portalit online të revistës gjermane Focus, Ambasada Gjermane në Prishtinë i vë në dispozicion informatat në vijim:
Megjithë raportimin e medieve kosovare, Ambasada Gjermane në Prishtinë nuk është e përfshirë në asnjë skandal vizash. Për më tepër, Ambasada nëpërmjet zbulimit të çertifikatave gjuhësore të falsifikuara e ka parandaluar marrjen e vizave nëpërmjet paraqitjes së kritereve false.
Më shumë informata mund të merren nga një përkthim i artikullit të portalit online të revistës Focus:
Përkthim:
Mashtrim vizash në Ambasadën gjermane në Kosovë Alarmon Ministria Federale për Punë të Jashtme
E diel, 05.10.2014, 08:00
Munih. Në Ambasadën Gjermane në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë është zbuluar një mashtrim vizash me dokumente të falsifikuara në mënyrë jashtëzakonisht profesionale. Për këtë raporton revista e lajmeve Focus, duke u thirrur në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme. Ky institucion ka konfirmuar për Focus që një këshilltar i dokumenteve dhe vizave i Policisë Federale, i punësuar në Kosovë gjatë shqyrtimit të kërkesave për viza ka hasur në disa çertifikata gjuhësore të Institutit Goethe, të cilat kanë qenë të falsifikuara.
Ministria Federale për Punë të Jashtme e ka informuar Ministrinë Federale për Punë të Brendshme lidhur me falsifikimet. Poashtu janë informuar edhe përfaqësitë diplomatike në rajon dhe të njejtat janë lutur për ta sensibilizuar personelin e tyre në zyrat për viza.
Sipas revistës Focus në këtë rast të dokumenteve të falsifikuara bëhet fjalë për çertifikata gjuhësore të nivelit A1. Ato i vërtetojnë pronarit që ai ka njohuri bazë të gjuhës gjermane. Çertifikatat janë të rëndësishme veçanërisht për të huajt, të cilët në kuadër të bashkimit familjar, gjegjësisht tërheqjes së bashkëshortes/bashkëshortit dëshirojnë të zhvendosen në Gjermani. Falsifikimet e zbuluara tani janë të kualitetit të lartë, thuhet në një vlerësim të Ambasadës.
Duhet shkuar nga ajo se është prodhuar një numër i madh i dokumenteve false dhe se tashmë është hedhur në qarkullim, citon Focus nga shkresa. E mundur është që dokumentet e falsifikuara të përdoren edhe në ambasadat e tjera gjermane, si dhe austriake. Veç kësaj, këto dokumente do të mund edhe të paraqiteshin gjatë parashtrimit të kërkesave për marrje të lejeve të qëndrimit në zyra për të huajt brenda vendit, ka paralajmeruar Ambasada në Prishtinë.